E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, sot paradite protesta në mbrojtje të Parkut të Liqenit

TIRANE - Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike, Ekolëvizja dhe Qendra Shqiptare e Trashëgimisë do të zhvillojnë sot rreth orës 10:00 një protestë kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës për prerjen e disa pemëve shumëvjeçare në Kodrat e Liqenit, me qëllim zgjerimin e Rrugës së Elbasanit.

Protesta do të zhvillohet në hyrje të Parkut, pranë Fakultetit Filologjik dhe janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij shqetësimi.

Prej rreth dhjetë ditësh në një pjesë të Parkut të Tiranës po ndërhyhet me prerjen tërësore të pemëve shumëvjeçare (pisha, rrepe, eukalipte, etj, 30-70 vjeçare). Ky proces ka përfshirë gjithë zonën e Parkut përgjatë rrugës së Elbasanit, që prej Fakultetit të Ekonomisë e deri në Sauk. Si fillim janë prerë tërësisht pemët në një sipërfaqe prej rreth 5000 m2 në zonën e hyrjes së Parkut; përgjatë rrugës së Elbasanit në një brez gjerësi 10-30 m dhe brenda rrethimit te Varrezave të Dëshmorëve gjithashtu në një brez me gjerësi rreth 10-15 m.

Të gjitha këto zona bëjnë pjesë brenda kufijve të Parkut të Tiranës, kufij dhe destinacion i shpallur me vendim të KRRTRSH-së dhe si të tillë nuk mund të ndryshohet pa një vendim tjetër të po këtij organizmi epror, pohojnë organizatorët e protestës.

Gjithashtu, nga piketimet paraprake shihet se projekti parashikon shkatërrimin e rrethimit të Kopshtit të Pallatit të Brigadave dhe prerjen e pemëve në një brez 10-15 m brenda tij. Natyrisht që shkatërrimi i rrethimit përfshin gjithë murin origjinal me harqe, kullat prej guri në fillim dhe në fund, portën monumentale të Pallatit, vend-rojet ceremoniale, etj, të gjitha pjesë e Parkut të Pallatit, i cili me VKM është shpallur vite më parë "Monument Kulture".

Sipas organizatorëve të protestës, i gjithë ky shkatërrim, bëhet në emër të një projekti fantazmagorik për zgjerimin e rrugës së Elbasanit pasi në terren nuk ka asnjë tabelë që të sqarojë publikun për gjithë çka po ndodh (gjë që përbën detyrim ligjor).

Gjithashtu, nuk dihet se kush e ka hartuar këtë projekt; kush e ka miratuar dhe në çfarë instance; a është bërë dhe kush e ka bërë raportin e ndikimit të mjedis; kush e ka ndryshuar destinacionin e pjesës së Parkut që po tjetërsohet e për rrjedhojë shkatërrohet; a është kërkuar prononcimi i IMK-së për shkatërrimin e një monumenti kulture siç është parku i Pallatit të Brigadave; etj.

Bashkia e Tiranës mundohet të ofrojë informacionin minimal, duke deklaruar herë për një projekt me 4 korsi e herë me 6 korsi. Në fakt, përfundimi i autostradës Elbasan-Tiranë, e nxjerr jashtë loje këtë investim të sforcuar, duke hedhur kështu hije të rënda dyshimi për arsyet reale të këtij shkatërrimi.
(shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›