Tiranë, tritol banesës së kandidatit të PS, Erion Koka

Erion Koka, kandidat i PS në Njësinë Nr.7
Një sasi eksplozivi shpërtheu rreth orës 01:50 pas mesnatës së diel në derën e apartamentit të kandidatit të Partisë Socialiste për Minibashkinë Nr.7 në Tiranë, Erion Koka.Eksplozivi, sipas Policisë, dyshohet se ka qenë në masën 50 gramë dhe ishte vendosur në sheshpushimin e katit të katërt të apartamentit parafabrikat pranë shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, disa metra larg Komisariatit Nr.2. Shpërthimi, përveç disa dëmeve materiale, nuk ka lënduar asnjë prej gjashtë anëtarëve të familjes Koka, të cilët ndodheshin duke fjetur kur ndodhi ngjarja. Shpërthimi është shoqëruar me panik dhe tronditje për dy djemtë e mitur të kandidatit socialist. Jo zyrtarisht, nisur edhe nga deklarimet e inxhinierit 32-vjeçar, Erion Koka, që kandidon për herë të parë për kryetar minibashkie, policia thotë se dyshimet kryesore janë se shpërthimi ka ndodhur për motive politike. Nga verifikimet e kryera prej grupit hetimor, pyetja e familjarëve dhe personave të njohur të Kokës, rezulton se ai nuk ka pasur asnjëherë konflikte personale që mund të arrinin deri në vënie eksplozivi. Këqyrja e vendit të ngjarjes është kryer nga forcat e Komisariatit Nr.2, ekspertë Antieksploziv, Xhenier dhe oficerë të Krimeve të Rënda. Grupi hetimor ka nisur veprimet për identifikimin e autorëve të ngjarjes dhe burimet sqarojnë se për kapjen e tyre mund të ndihmojnë kamerat e sigurisë që ndodhen të vendosura përreth shtëpisë së Emiljano Shullazit, i cili ndodhet përballë hyrjes së pallatit. Për këtë arsye, Prokuroria ka lëshuar një urdhër sekuestroje për kamerat e sigurisë në mënyrë që të zbulohen sa më shpejt autorët e ngjarjes.
HETIMI
Pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, pyetjes së familjarëve dhe marrjes së deklarimeve nga persona të tjerë të njohur të kandidatit socialist, Erion Koka, grupi hetimor ka ngritur pistat e para. Dyshimet kryesore policia i lidh me motivet politike, por nuk përjashton edhe ato personale. Koka është inxhinier i Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, por policia e përjashton faktin që ngjarja mund të ketë lidhje me punën e tij, pasi nuk rezulton që Koka mund të ketë pasur probleme. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është konstatuar një gropë me diametër rreth 15 centimetra, ku, sipas ekspertëve, është vendosur sasia e eksplozivit. Në vendngjarje janë gjetur mbetje plastike, që shpjegon faktin se sasia e tritolit, që dyshohet të jetë rreth 50 gramë, ishte vendosur në një objekt plastik. Policia tha se është gjetur edhe një copë fitili, që, sipas ekspertëve, ishte ndezur me shkrepëse e më pas ka shkaktuar shpërthimin. Vatra e shpërthimit ka qenë me drejtim nga lart poshtë dhe, e penguar edhe nga një pllakë mermeri poshtë derës së apartamentit, nuk ka arritur të shkatërrojë plotësisht derën, pasi fuqia e eksplozivit ka qenë mbi pllakat e korridorit të jashtëm. Burimet thanë se ngjarja ka qenë e organizuar mirë nga autorët, të cilët mund të kenë pritur momentin kur kandidati Koka është kthyer në shtëpi për të vendosur eksplozivin.
INTERVISTA
Shpërthimi, presion politik për zgjedhjet, skam konflikte personale
TIRANE – Erion Koka, kandidati i Partisë Socialiste për Minibashkinë Nr.7 në Tiranë, nuk ka asnjë dyshim se eksplozivi që shpërtheu në derën e apartamentit të tij është vendosur për motive politike. Ngjarjen që tronditi familjen e tij, prindërit, gruan dhe dy djemtë e mitur, ai e quan një presion politik për kandidimin e tij si kryetar minibashkie në këtë zonë. Ai shpjegon se nuk ka asnjë motiv tjetër dhe asnjë dyshim tjetër, pasi nuk ka pasur konflikte personale dhe as profesionale. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Erion Koka shpjegoi dje dyshimet e tij për ngjarjen.
Si ka ndodhur shpërthimi i eksplozivit në banesën tuaj?
Unë kisha rreth 15 minuta që isha kthyer në shtëpi, pasi gjatë gjithë ditës së diel kam zhvilluar disa takime elektorale, që në fakt ishin shumë të suksesshme dhe rreth orës 01:30 janë kthyer në shtëpi. Pjesëtarët e tjerë të familjes kishin fjetur, prindërit, bashkëshortja e dy djemtë dhe për pak minuta u shtriva edhe unë të pushoj. Për pak sekonda kam ndierë një shpërthim shumë të fuqishëm që tronditi gjithë shtëpinë dhe në këtë moment fëmijët u zgjuan të trembur. Nuk po merrja vesh se çfarë kishte ndodhur dhe kam dalë menjëherë në korridor. Nuk po arrinim të shihnim asgjë, pasi korridori ishte mbushur me tym, pluhur dhe ndienim erën e rëndë të asaj që kishte shpërthyer, që, më vonë, pasi erdhi policia, mësuam se ishte eksploziv. Dera ishte shkatërruar plotësisht dhe ishte hapur. Shqetësohesha më shumë për fëmijët, ata janë të vegjël dhe ende vazhdojnë të jenë të frikësuar nga ajo që ndodhi. Rreth një metër larg nga dera fle djali im i vogël, por për fatin tonë pallati është i ndërtuar me hekur e beton, që nuk ka lejuar depërtimin dhe çarjen e mureve.
Si e shpjegoni këtë që ndodhi, sipas jush, çfarë motivesh ka ky shpërthim?
Pa asnjë dyshim ka të bëjë me kandidimin tim. Është e veshur me motive politik, sepse praktikisht nuk kam pasur dhe nuk kam ndonjë lloj konflikti, qoftë personal dhe qoftë profesional. Unë nuk jam njeri që gjeneroj konfliktet, jam i qetë dhe gjithmonë i jam përkushtuar familjes sime dhe kam kryer punët e mia pa pasur përplasje me askënd. Jam i habitur, madje edhe i tronditur dhe akoma nuk po gjej dot shkaqet e mundshme, pasi as gjatë këtyre ditëve të fushatës nuk kam pasur asnjë debat me palën tjetër që kandidon për Minibashkinë. E vetmja gjë që më shkon në mendje janë motivet politike, kandidimi im. Deri ditën që unë nuk isha kandidat nuk kam pasur kurrë asnjë lloj problemi, as në lagje as në punë dhe asnjë lloj profili të jetës sime.
Ju kishin kërcënuar ndonjëherë më parë, me ndonjë mesazh apo telefonatë?
Asnjëherë. Kurrë nuk më ka ardhur ndonjë mesazh kërcënues apo telefonatë që të më paralajmëronte për diçka. Nuk i kam dhënë mundësinë njeriu që të krijojë konflikte me mua dhe më pas të më kërcënojë. Gjithçka ndodhi papritur, ndaj edhe unë jam habitur për këtë ngjarje.
Alimehmeti: Akt kriminal, të zbardhet
Kandidati demokrat Alimehmeti pati një telefonatë me Erion Kokën ku i ka shprehur solidaritetin njerëzor dhe politik. “Në vijim Alimehmeti i bën thirrje autoriteteve shtetërore që ta shqyrtojnë me përparësi këtë akt me sfond kriminal dhe të nxjerrin përpara drejtësisë autorët. Ky akt kriminal duhet të zbardhet sa më shpejt”, thuhet në deklaratën e shtabit elektoral të kandidatit të PD-së.
Tritoli në Pogradec, konflikti ishte me djalin e drejtoreshës së Tatim-Taksave
POGRADEC – Zbardhet atentati me tritol në qytetin e Pogradecit. Policia ka zbardhur në kohë rekord ngjarjen dhe arrestuar autorët e saj, duke konfirmuar se nuk bëhej fjalë për detyrën e kryefamiljarit Vasfi Syzo, si kreu i shtabit të kandidatit të PS-së e as për detyrën e gruas së tij si drejtoreshë e Tatimeve. Por, ngjarja që tronditi qytetin mëngjesin e së dielës ka lidhje me një konflikt të djalit të shtëpisë ku u vendos eksplozivi, 20-vjeçarit B.Syzo. Policia bëri të ditur se ka arrestuar shtetasit Dritan Hoxha, Enrik Xhambazi, si dhe Altin Jashllari, moshatarë me Syzon, të tre nga fshati Buçimas i Pogradecit. Ata janë arrestuar nga policia me akuzat e shkatërrimit të pronës me lëndë eksplozive, kanosjes e armëmbajtjes pa leje si dhe për fshehje të krimit. Operacioni për zbulimin dhe arrestimin e tyre u koduar “Tronditja”. Nga hetimet e policisë ka dalë se në banesën e shtëpisë së familjes Syzo është vendosur një kallëp tritoli, në shenjë kërcënimi që një prej të rinjve të arrestuar ka pas