E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, vret veten arkitektidhe piktori i njohur Agron Jano

TIRANE-  Arkitektura shqiptare humbi sot një nga artistët e saj më në zë. Profesor Agron Jano, ish kryetari i shoqatës së arkitektëve, piktori dhe bashkëshorti i Kristina Jorgaqit gjuhëtares së njohur, pedagoge në Universitetin e Tiranës, i ka dhënë fund jetë duke u vetëhedhur nga kati i katërt i banesës së tij.

Sipas policisë 59 vjeçari pedagog pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës është vetëhedhur nga kati i katërt i Pallatit, pranë rrugës së Kavajës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme ndërsa 59 vjeçari humbi jetën sot në spital.

Familjarët kanë dëshmuar për policinë se Agron Jano ditët e fundit ka pasur gjendje të rënduar psikologjike.

Për studentët e Arkitekturës, prej më 35 vitesh ai ishte profesor Agroni. Për arkitektët ishte kryetari i shoqatës por dhe fitues i shumë çmimeve të para e të dyta, si arkitekt objektesh të rëndësishme dhe panairesh në Shqipëri, Francë, Itali, Gjermani, Zvicër, Portugali e Kosovë. Agroni ishte dhe piktori i cili së fundmi me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë hapi ekspozitë në Galerinë e Arteve në Fier.  “Proces” titullohej ekspozita personale e piktorit, e cila përmbante 40 piktura, punime të realizuara kryesisht vitet e fundit, ku spikaste piktura plot ngjyra harmonike e të gëzueshme dhe me shumëllojshmëri motivesh.

Provoi dhe ia doli të hapte një ekspozitë me piktura edhe në galerinë më të rëndësishme të Comos në Itali. Shumica e vizatimeve ishin realizuar gjatë viteve të qëndrimit të tij në Itali, 1991-1994.

KUSH ISHTE AGRON JANO

Agron Jano ka lindur në Fier, në vitin 1954. Është diplomuar si arkitekt në Universitetin e Tiranës në vitin 1977. Krahas aktivitetit projektues si arkitekt objektesh të rëndësishme dhe panairesh në Shqipëri, Francë, Itali, Gjermani, Zvicër, Portugali e Kosovë, ka marrë pjesë edhe në konkurse ndërkombëtare siç janë: Katedralja Ortodokse e Tiranës (2001), vlerësuar me çmimin e dytë; Studimi Urbanistik i Qendrës së Durrësit (2005), vlerësuar gjithashtu me çmimin e dytë; Parlamenti i Shqipërisë (në bashkëpunim me ark. Mario Campi dhe ark. Fabio Reinhart (2007), vlerësuar me çmimin e parë.
Ka qenë kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë (2001-2008). Prej 1978 deri sot është pedagog i jashtëm pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës.

(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›