Tiranës i shtohet Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame, Rama: Plotëson një boshllëk kulturor, vlerë e shtuar kryeqytetit

Tiranës do i shtohet Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame, një qendër e re kulturore që pritet të ngrihet në Sarajet e Toptanëve, si një shembull i rrallë i arkitekturës osmane.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ky muze do të plotësojë një boshllëk kulturor në kryeqytet, duke sjellë objekte dhe libra me vlerë të rrallë. Ai e cilësoi artin dhe kulturën islame si pjesë integrale të kulturës së vendit tonë, ndërsa shtoi se një muze i tillë është një vlerë e shtuar për kryeqytetin.
“Po ndërtojmë një hapësirë të munguar në Tiranë të artit dhe të kulturës islame. Kultura dhe arti islam janë pjesë integrale e kulturës së Mesdheut dhe Evropës dhe pavarësisht se ky muze në përmasën e vet është modest, besoj se është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për ta përcjellë këtë dëshmi të munguar. Këtë pasuri kaq të çmuar të traditës dhe kulturës tonë, shumëkush e sheh si një trashëgimi të imponuar nga një periudhë e caktuar e historisë. E vërteta është krejt ndryshe dhe dëshmia e një muzeu të tillë është një domosdoshmëri dhe një vlerë e shtuar për kryeqytetin”, tha Rama.
Rama njoftoi gjithashtu se në Shkodër po punohet për një tjetër muze, kushtuar martirizimit të klerit katolik, duke synuar kështu pasqyrimin e plotë të historisë fetare në Shqipëri.
“Ky muze i shtohet një gjerdani që i bashkohet Muzeut të ri Kombëtar, Galerisë së re Kombëtar, Teatrit të ri Kombëtar, Muzeut “Besa” etj. Ky është një stacion kyç i historisë tonë si komb, i historisë së kryeqytetit tonë. Në Shkodër po punohet për një tjetër muze qe i dedikohet martirizimit të klerit katolik dhe kështu plotësojmë pak nga pak historinë e munguar të fesë në Shqipëri”, tha Rama.
Gjithashtu kryeministri shpresoi se “dera e Muzeut të Artit dhe Trashëgimisë Islame të hapet deri në vitin 2030”.
/rtsh.al/