E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tjetër plagosje me thikë në Tiranë, studenti godet bashkëmoshatarin pas konfliktit, arrestohet autori

Vetëm tre ditë pas vrasjes së 14-vjeçarit në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij, një tjetër ngjarje e rëndë trondit  kryeqytetin.

E njëjta skenë kriminale me protagonistë dy studentë të universitetit privat “Metropolitan” janë përfshirë në një konflikt që përfundoi në përdorim e armëve të ftohta.

Pak metra larg institucionit arsimor, autori i dyshuar Ajdin Ajvazi ka plagosur me thikë 19-vjeçarin Aron Demiraj.

Ngjarja ka ndodhur në një rrugicë, ku menjëherë i plagosuri ka vrapuar në një fast food ngjitur me shkollën dhe ka kërkuar ndihmë.

Autori dyshohet se ka hedhur thikën dhe është larguar gjithashtu me shpejtësi. Uniformat blu e kanë arrestuar pak minuta pas plagosjes dhe është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Tiranës.

Pritet që i riu të merret në pyetje në lidhje me shkaqet e përplasjes mes tyre që agravoi deri në përdorimin e thikës.

Nga ana tjetër mësohet se i plagosuri Aron Demiraj ndodhet në spitalin e Traumës ku ka marrë tre goditje me thikë, në brinjë, qafë dhe shpatull.

Ai i është nënshtruar ndërhyrjes  dhe mësohet se gjendja e tij paraqitet stabël për momentin.

Pas kalimit të rrezikut për jetën pritet që 19-vjeçari të merret gjithashtu në pyetje nga grupi hetimor.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›