E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tkurren sipërfaqet e mbjella me domate, fermerët ankohen për çmimet. Po shesim nën kosto

Prodhuesit e perimeve në serrat diellore po mbjellin gjithnjë e më pak domate. Në kohën e  pjekjes ky produkt shitet lirë, duke mos garantuar as shpenzimet e fermerëve.

Fermerë të Lushnjës kanë ardhur të shohin në një sërë eksperimentale varietet e domateve, por shumë prej tyre pohojnë se do të heqin dorë nga kultivimi.

Domatja në Myzeqe mbillet për eksport, por kur vjen koha e vjeljes çmimi që kërkohet nga tregtaret është nën kosto. Sot po tregtohet me 20 lekë për kg, ndërkohë që për fermerët çmimi që justifikon punën e tyre duhet të jetë mbi 100 lekë për kg.

Serat po përgatiten për mbjelljet e domates në vjeshtë, ndaj për fermerët është i rëndësishëm gjetja e një kultivari që rritet pa shumë spërkatjeje dhe që duron sëmundjet infektive.

Domatja rozë kërkohet për tregun vendas e ajo e kuqja për eksport. Por në kushtet e uljes se çmimit fermerët po vënë në dyshim mbjelljet e  sezonit.

Sipërfaqet e mbjella me domate po tkurren nga fermerët, për shkak të uljes se çmimit në kohën e mbiprodhimit dhe problemeve për gjetjen e tregut. Për vitin 2023 domatja nisi të tregtohej në janar me 180 lekë për kg, ndërsa sot në fund të muajit maj çmimi ka shkuar 50 deri në 20 lekë për kg.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›