Tokën e godet sot një stuhi e fuqishme diellore
Dielli do bombardojë Tokën sot me një nga stuhitë diellore më të fuqishme që prej shtatë vitesh. Dhe për më tepër, goditja do ndjehet më shumë në ditët në vijim.
Shpërthimi diellor ka ndodhur të dielën dhe pritet që efektet të mbërrijnë në tokë në tre kohë të ndryshme.
Problemi më i madh është rrezatimi, që mund të shkaktojë ndërprerje të satelitëve si dhe mund të ndikojë tek astronautët në hapësirë. Po ashtu mund të krijojë probleme në komunikim për aeroplanët që janë pranë poleve.
Kjo është një stuhi e fortë, por sërish ka të tjera edhe më të fuqishme. E sotmja është një stuhi mesatare. Megjithatë është rrezatimi më i madh që nga maji i vitit 2005.
Pas shpërthimit në Diell, fillimisht vjen rrezatimi elektromagnetik, më pas vjen rrezatimi në formën e protoneve. Më pas vjen plazma nga vetë dielli. Kjo e fundit mund të shkaktojë probleme të mëdha në tokë si për shembull ndërprerje të energjisë. Në vitin 1989, një stuhi diellore shkaktoi një ndërprerje masive energjie në Kebek.