E Diel, 1 Nëntor 2026

Tom Cruise kundër IA-së: E ardhmja e kinemasë duhet të ruajë elementin njerëzor

LOS ANXHELES,22 shtator /ATSH/ – Aktori amerikan Tom Cruise ka mbrojtur vlerën e përvojës njerëzore në kinema dhe ka folur për ndikimin e inteligjencës artificiale në të ardhmen e industrisë së filmit, gjatë aktivitetit “Life in Pictures” të BAFTA-s, shkruan hinkmovies.it.

Gjatë një ndërhyrjeje gjashtëminutëshe, e cila u prit me duartrokitje të gjata, Cruise iu përgjigj pyetjeve të Edith Bowman mbi mënyrën se si inteligjenca artificiale mund të ndryshojë kinemanë.

Aktori i “Top Gun” dhe “Mission: Impossible” u përqendrua te rëndësia e artit kinematografik dhe përvoja që publiku përjeton në sallat e kinemasë. Duke folur për teknologjinë, transmetimin online dhe procesin e realizimit të filmave, Cruise theksoi rëndësinë e elementit njerëzor.

“Nuk ka asgjë të ngjashme me qenien njerëzore”, tha ai, duke shtuar se interesi i publikut, veçanërisht i të rinjve, për kinemanë tregon dëshirën për përvoja reale dhe njerëzore.

Cruise vuri gjithashtu në dukje punën e profesionistëve dhe artizanëve që i kushtojnë karrierën e tyre realizimit të filmave. “Njerëzit duan të shohin gjëra të vërteta”, u shpreh aktori.

Ai theksoi edhe rëndësinë e vëmendjes që njerëzit u kushtojnë gjërave: “Ajo që i kushton vëmendje, i jep jetë”.

Tema e inteligjencës artificiale nuk është e re për Cruise. Aktori e kishte ngritur këtë çështje edhe gjatë negociatave të SAG-AFTRA në vitin 2023, duke kërkuar mbrojtje për aktorët përballë përdorimit të kësaj teknologjie.

Gjatë aktivitetit të BAFTA-s, Cruise foli edhe për filmin e tij të ardhshëm, “Digger”, i cili pritet të dalë në kinema më 2 tetor.

Ai tregoi se kishte arritur ta bindte regjisorin Alejandro González Iñárritu të lexonte skenarin për dy net radhazi, përpara se të pranonte rolin.

Cruise e përshkroi filmin si “një nga më origjinalët dhe më prekësit” ku ka punuar.
Në “Digger”, Cruise interpreton personazhin Digger Rockwell, një magnat të naftës që përballet me pasojat e një katastrofe mjedisore të shkaktuar prej tij dhe përpiqet të shpëtojë situatën.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›