E Diel, 1 Nëntor 2026

Tom Cruise surprizon britanikun që mblodhi fonde për bamirësi përmes sfidave ekstreme

LONDËR, 3 tetor /ATSH/ – Aktori amerikan Tom Cruise i ka bërë një surprizë një britaniku, i cili kaloi një vit duke realizuar një seri sfidash të vështira sportive, për të mbledhur fonde për bamirësi, raportoi AP.

Bëhet fjalë për Lloyd Kembrey, përgjegjës i ambienteve në Universitetin e Bristolit, i cili ndërmori sfidat për të mbledhur fonde për “Jessie May”, një organizatë bamirësie që ofron mbështetje për fëmijët që kanë nevojë për kujdes paliativ në shtëpi.

Nisma e Kembrey lidhej me historinë e kushërirave të tij binjake, Francesca dhe Josephine, të cilat u diagnostikuan me sëmundjen e tipit A të Sanfilippos, një sëmundje që kufizon jetëgjatësinë, kur ishin tre vjeç e gjysmë. Të dyja humbën jetën gjatë adoleshencës.

Për të nderuar kujtimin e tyre dhe për të mbështetur familje të tjera që përballen me situata të ngjashme, Kembrey ndërmori një sërë sfidash të qëndrueshmërisë fizike.

Ndër sfidat e tij ishin një ultramaratonë 31 milje, rreth 50 kilometra, me patina në akull në Finlandë, ngjitja në një mur artificial në një lartësi të barabartë me lartësinë e malit Everest, si dhe një ecje prej 94 miljesh, rreth 151 kilometrash, përgjatë bregdetit Jurassic në jug të Anglisë.

Për të shënuar përfundimin e sfidave, familja e Kembrey bashkëpunoi me ekipin e programit të BBC-së “The One Show” dhe nismën e tij “One Big Thank You”, duke organizuar një surprizë për të.

Kembrey u ftua në Londër me pretendimin se do të merrte pjesë në një intervistë, për një dokumentar mbi sfidat ekstreme dhe sportet e qëndrueshmërisë.

Por, në vend të intervistës së zakonshme, në dhomë hyri Tom Cruise, i cili kishte ardhur për ta falënderuar personalisht për përpjekjet e tij në mbledhjen e fondeve.

Pas takimit, Kembrey mori pjesë së bashku me një mik në premierën e filmit “Digger”, ku takoi edhe aktorë të tjerë, mes tyre John Goodman, Riz Ahmed dhe Jesse Plemons.

Ish-drejtori ekzekutiv i Jessie May, Daniel Cheesman, vlerësoi kontributin e Kembrey, duke theksuar se fondet e mbledhura prej tij, ndihmojnë organizatën të mbështesë drejtpërdrejt fëmijët në shtëpitë e tyre. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›