E Diel, 1 Nëntor 2026

Top Fest 8, fiton Elvana Gjata me këngën kushtuar Emmy-t

Elvana Gjata duke marrë trofeun e Top Fest 8

Duke i kënduar një humbjeje, një momenti të dhimbshëm, ajo fitoi trofeun e festivalit. Me një këngë të krijuar nga Flori Mumajesi, dedikuar Emmy-t, këngëtares që u nda nga jeta në mënyrë tragjike pak kohë më parë, Elvana Gjata ka rrëmbyer trofeun e edicionit të tetë të Top Fest. Pas javësh të tëra prezantimi në ekranin e Top Channel dhe netëve gjysmëfinale, mbrëmjen e së dielës u zhvillua në Pallatin e Kongreseve Top Fest. Shumatorja e votave të publikut dhe të jurisë në sallë (Genti Rushi, Juliana Pasha, Ezdalin Gorani, Arbana Osmani dhe Elton Deda) fituese shpalli Elvana Gjatën, e cila merrte pjesë për herë të parë në këtë festival. Madje ky ishte i pari trofe i madh për këngëtaren, pas shumë çmimesh të dyta apo trofe të tjera në festivalin Kënga Magjike. Por nuk ishte vetëm Gjata me këngën Me ty që u vlerësua në këtë mbrëmje. Ishin edhe 9 çmime të tjera që u ndanë gjatë natës finale të drejtuar nga Ledion Liço dhe motrat Vjolla, Marina dhe Luana. U nderuan me çmime këngëtarë si Flori, Anjeza Shahini, Flaka Krelani, Endri Prifti, Xhensila Myrtezai etj. Ndërkohë që të tjerë këngëtarë interpretuan gjatë kësaj mbrëmje. Të gjitha këngët u interpretuan live, shoqëruar nga orkestra e Top Channel, nën drejtimin e Dorian Gjonit.

Çmimet

Çmimi i madh: Elvana Gjata
Artisti i ri më i mirë:
Anxhelina Hadërgjonaj
Çmimi Top Albania Radio:
NRG Band
Çmimi i internetit:
Tallava e Flori Mumajesit
Kënga më e mirë Rrok dhe Alternativ: Flaka Krelani
Artisti më i mirë mashkull:
Gent Bushpepaj.
Kënga më e mirë Pop dhe R&B: Xhensila Myrtezaj
Balada më e mirë:
Do vazhdoj të flas, Endri Prifti
Artistja më e mirë femër: Elvana Gjata
Interpretuesi më i mirë:
Anjeza Shahini dhe Dren Abazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›