E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top Story Beteja e imuniteteve

Politika ka shkurtuar pushimet e saj verore, sepse ndryshe nga sa ka ndodhur çdo vit me mbylljen e seancave të Parlamentit në fundit të korrikut, këtë herë, seanca e fundit është shtyrë në datën 6 gusht.

Arsyeja lidhet me temën shumë të nxehtë të imunitetit, debati për kufizimin e të cilit është vendosur në krye të axhendës aktuale të politikës shqiptare.

Në këto muaj debati rreth kësaj çështje të nxehtë, reagimet kanë qenë të shumta edhe nga ndërkombëtaret, ndërsa ambasadori Arvizu shprehu qartësisht se pret që në datën 6 gusht të votohen ndryshimet kushtetuese, që do të mundësojnë kufizimin e imunitetit.

Por, a mundet që dy aktorët kryesorë të politikës sonë, të ndarë prej kohësh ne pozita te ndryshme në këtë debat, të gjejnë në këto pak ditë, një marrëveshje që nuk arrin të formalizohet në Shqipëri as pas një të paktën 15 vitesh perballje?.

Pikërisht për të folur rreth kësaj çështje, emisioni i përjavshëm politik i Sokol Ballës, “Top Story”, solli në një ballafaqim interesant dy prej debatuesve kryesorë të secilës forcë për imunitetin, ish-ministrin e Drejtësisë, demokratin Enkelejd Alibeaj dhe nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe.

Duke nisur shpjegimin se përse kjo çështje është shndërruar thelbësore në jetën politike shqiptare, Alibeaj tha: “Heqja e imunitetit kërkon një ndryshim kushtetues dhe vjen si rrjedhojë e një nevoje më të madhe për zhvillimin e brendshëm të demokracisë dhe heqjen e kësaj korace imunitare, që nuk është më në përputhje me kohën dhe zhvillimet në vend. Sigurisht, imuniteti duhet ndryshuar edhe për arsye të qarta politike, të debatit politik, zhvillimeve institucionale apo kërkesat e herë pas hershme që prokurorët e përgjithshëm kanë nxjerrë ndaj politikanëve. Mbase duket si një justifikim, pasi në fund çdo deputet ndaj të cilit është kërkuar heqje e imunitetit i është hequr, por më shumë se një mbrojtje, imuniteti krijon një psikozë, e cila duhet luftuar dhe në këtë pikë i pranoj ankesat e prokurorëve”.

Imunitetet janë një prej debateve më afatgjatë të politikës shqiptare. Përse kjo çështje nuk ka marrë një zgjidhje në kaq shumë kohë?. “Kjo është një çështje e demonizuar, e përdorur shumë gjatë të gjithë viteve dhe është referuar si një prej arsyeve përse korrrupsioni ka arritur këtë nivel të lartë. Së pari, dua të them që imuniteti nuk është personal, pra është vendosur në kushtetutë për funksion”, nisi argumentimin e tij socialisti Braçe. “Imuniteti nuk është i Erjonit apo cilildo në atë sallë, por i funksionit të deputetit, anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Imuniteti është vendosur në kushtetutë për të mbrojtur këta funksionarë nga abuzimi i pushteteve të tjera në raport me to. Pikërisht, për këtë u vendos në 1998 kur u miratua kushtetuta, pasi vendi erdhi pas një periudhe që me pushtetin u abuzua tej mase. Mos harroni që lideri i opozitës, Fatos Nano, u burgos në mënyrë të padrejtë nga një gjykatë e lidhur me pushtetin, për akuza për të cilat më vonë ai rezultoi i pafajshëm”.

Duke u ndalur në çështjet kohore dhe rëndësinë e imunitetit, Braçe shtoi: “Për këtë arsye diskutimi ka qenë tepër i gjatë. Vetë kufizimi i imunitetit nuk më duket problem i madh, përsa kohë që çdo rast që është paraqitur në Kuvend nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm për të kërkuar leje për nisje të procedimit është dhënë. Natyrisht, ka pasur raste që është zvarritur dhe është bërë diskutim apo është kthyer në problem, si rasti i ish-ministrit Mediu, që pati edhe një debat më të gjerë se sa debati shqiptar, por në çdo rast, imuniteti është hequr dhe nuk është kthyer në pengesë. Nga ana tjetër, imuniteti është një problem tepër i madh në gjykatë, ku dy ish-ministrat, i Mbrojtjes dhe Transportit, gjykata nuk i ka marrë përsipër t’i gjykojë, ndonëse mbi ta ka akuza dhe janë njerëz me akuzë, por që nuk gjykohen. Ky është një problem tejet i madh”.

Duke sjellë shembuj të huaj të interpretimit të imunitetit, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste pranoi se “në Europë ekziston një trend për të kufizuar apo hequr imunitetet, në mënyrë që t’i jepet më shumë dorë të lirë prokurorisë. Së fundmi, Franca, Italia dhe Kosova kanë përshtatur legjislacione që kufizojnë imunitetin, ndërsa ka edhe vende si Holanda që nuk e njohin absolutisht atë”.

Në vazhdim, diskutimi u përqendrua në mënyrën se si duhen realizuar këto ndryshime dhe në pyetjen nëse a duhet të ndryshohet medoemos kushtetuta për të kufizuar iminutetin. Deputeti Alibeaj, duke replikuar me kolegun e tij, theksoi se “socialistët nuk kanë sjellë asnjë kërkesë për ndryshime kushtetuese, ndryshe ajo do të ishte pranuar menjëherë. Të paktën nga 2005-sa. ka pasur nisma politike të Partisë Demokratike, për të hequr imunitetin me çdo lloj mënyre të mundshme që do ta bënte të realizueshëm qëllimin, aq sa shkuam në komisionin e ligjeve në Venecia, e kërkuam mendim nëse një ligj paralel i miratuar me 3/5, do të kryente apo jo qëllimin pa e ndryshuar kushtetutën, që ishte altenativa jonë e parë. Aq të zellshëm kemi qenë ndaj kësaj çështje, sa që gjetëm edhe alternativë të tretë dhe e konsideruam, që imuniteti është një privilegj individual i deputetit, ndaj ai ka të drejtë të heqë dorë prej tij. Kjo është një sfidë që ka me elektoratin dhe moralin e tij në politikë, por duke folur si jurist, më duhet të pranoj që më shumë për psikozën që krijon imuniteti, ndryshimet kushtetuese janë bërë të domosdoshme”.

Megjithatë, ndonëse kufizimi i imunitetit është një prej kushteve ligjore të fitimit të statusit të vendit kandidat nga BE, Braçe shpjegoi se ndonëse socialistët e përkrahin këtë nisëm, duan një debat më gjithëpërfshirës në lidhje me këtë çështje. “Ne mendojmë se thjesht kufizimi i imunitetit të deputetit nuk mjafton, qoftë për të luftuar korrupsionin dhe as për të garantuar sistemin, prandaj debati duhet të jetë shumë më i gjerë”, çmoi Braçe.

Vazhdon...

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›