E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Uidhersit: Kuvendi është i hapur, ishte keqkuptim

 

Kryetarja e Kuvendit sqaron incidentin në letrën dërguar dy Ambasadorëve

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, sqaroi dje të vërtetën e incidentit me përfaqësuesit e ambasadave në seancën e Kuvendit, të datës 17 korrik, përmes një letre dërguar Ambasadorit Amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, por edhe atij të OSBE-së, Robert Bosch. Dy ditë më parë, pikërisht për këtë çështje, Ambasadori Amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers i shprehu shqetësimin po përmes një letre, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, lidhur më dëbimin e përfaqësuesve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diplomatë të tjerë të akredituar nga zona e vendeve diplomatike në Parlament para se Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, të paraqiste në Parlament raportin vjetor. Për këtë incident, Kryetarja e Kuvendit ka sqaruar se e gjitha ka qenë thjesht një keqkuptim administrativ. “Ndryshimi i vendeve, nga lozha në galeri, për punonjësit e huaj dhe shqiptarë të programit “OPDAT” ka qenë vetëm keqkuptim administrativ, për shmangien e të cilit, në të ardhmen, janë marrë të gjitha masat”,- thuhet në letrën e Topallit drejtuar Ambasadorit Amerikan. Ky i fundit ndër të tjera në letrën e tij shprehej se, “dëbimi i stafit tim nga zona e posteve diplomatike, ngre dyshime serioze lidhur me angazhimin e Parlamentit jo vetëm për të qenë i hapur dhe transparent, por edhe për bashkëpunimin tonë në këtë përpjekje të rëndësishme. Mbetem thellësisht i shqetësuar nga ky veprim dhe nga vështirësitë në rritje në të cilat po has stafi im dhe ai i misioneve të tjera diplomatike, në gjetjen e mundësisë për të ndjekur seancat parlamentare. Unë kërkoj që ju të garantoni se ky incident nuk do të përsëritet më, dhe se Parlamenti do të bashkëpunojë në të ardhmen për të lehtësuar mundësinë e pjesëmarrjes së misioneve të huaj në seancat e tij”.Për këtë shqetësim të ngritur, Topalli përgjigjet në letrën e saj se, Kuvendi i Shqipërisë ndihet i nderuar të mirëpresë titullarë të trupit diplomatik, ambasadorë, shefa misionesh e përfaqësues të tjerë, në punimet e Parlamentit. “Jam e lumtur që, së bashku me kolegët kemi arritur të bëjmë transparente, më shumë se kurrë, veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. Ashtu si edhe në seancat e tjera plenare, edhe në atë të datës 17.07.2008, me një axhendë intensive me shumë pika në rend të ditës, punimet e kësaj seance janë transmetuar drejtpërsëdrejti, mbi 5 orë, në disa kanale televizive”, - thuhet në letrën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit i ka siguruar Ambasadorit Amerikan se, “nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë që të largohet njeri nga ndjekja e punimeve të Parlamentit”. Një tjetër letër Topalli i ka nisur edhe Robert Bosch, Shef i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ku pak a shumë i shkruan të njëjtin mesazh, si edhe Ambasadorit Amerikan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›