E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli replikon ndaj Ramës: Lejo deputetët e PS të marrin pjesë në jetën parlamentare Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se Kuvendi e mori vendimin për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhje, me përgjegjshmëri të thellë dhe me vendosmërinë se të gjitha të vërtetat lidhur me procesin zgjedhor më të mirë, më të lirë, më të ndershëm që shqiptarët kanë zhvilluar ndonjëherë, duhet të dalin në dritën e diellit. Deklarata u bë nga zëdhënësja e saj, Suela Ruseti, e cila shprehu qëndrimin e kryeparlamentares për deklaratat e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas, kryetares së Kuvendit, grupi parlamentar i Partisë Socialiste refuzoi në seancën e djeshme t'i qëndronte këtij angazhimi dhe kësaj vendosmërie për transparencë. Ajo tha se “grupi Parlamentar i PS-së u përpoq të pengonte ngritjen e komisionit nëpërmjet përdorimit të trukeve procedurale”. “Pretendimi i kryetarit të grupit të PS-së për tërheqje nga nisma për ngritjen e komisionit u përgënjeshtrua nga vetë deputetët e tij. Sipas Rregullores së Kuvendit nisma mund të tërhiqet deri përpara votimit në parim të saj”, deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendit i kërkoi kryetarit të Partisë Socialiste, të lejojë deputetët e tij të marrin pjesë në jetën parlamentare, i kërkon që të lejojë grupin parlamentar të sjellë emrat e anëtarëve në komision, i kërkon që të lejojë deputetët e tij që të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›