E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli:Fule mbështet Shqipërinë për vizat

Kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli ka reaguar pas deklaratave që komisioneri për zgjerimin Stefan Fule ka bërë për Shqipërinë, por edhe për letrën që lideri socialist Edi Rama i ka drejtuar funksionarit të Komisionit Europian. Gjatë një konference për shtyp me homologun çek Miloslav Vlcek, kryetarja e Kuvendit ka vlerësuar mbështjen që komisioneri për zgjerimin Fule i ka dhënë Shqipërisë.
"Unë shfrytëzoj rastin për të falenderuar dhe një herë komisionerin Fule që është përfaqësuesi i çekisë për mbështeten që i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë Shqipërisë. Natyrisht ndihem mirë kur lexoj në deklaratat e tij se njeh progresin dhe është i impresionuar nga progresi që ka bërë Shqipëria dhe gadishmërine e tij për të mbështetur Shqipërinë në sfidat e mëdha dhe në ngjarjet e mëdha qoftë në liberalizimin e vizave ashtu dhe në proceset integruese" theksoi Topalli.
Ndërkohë që kryeparlamentari i çekisë Vlcek ka theksuar se vendi i tij do të mbështesë liberalizimin e vizave për Shqipërinë.
Vizita e kryeparlamentarit çek bëhet falë ftesës së Kryetares së Kuvendit e cila përmes diplomacisë parlamentare po lobon për heqjen e vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›