Topi , mesazh ngushëllimi homologut turk

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Presidentit të Turqisë, Abdullah Gyl, në të cilin i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së 26 ushtarëve nga aktet terroriste si dhe humbjen e qytetarëve turq gjatë aksidentit në Detit Adriatik.
“I nderuar Zoti President,
Së pari dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për Ju dhe popullin turk për humbjen e jetës së 26 ushtarëve dhe civilëve nga aktet terroriste e mizore të dënueshme nga i gjithë opinioni ndërkombëtar! Shpreh solidaritetin tim të thellë dhe bindjen time se ekzekutorët kriminalë do të marrin sa më shpejt dënimin e tyre të merituar.
Gjithashtu, shpreh ngushëllimet e mia edhe për humbjen e jetës së qytetarëve turq gjatë aksidentit tragjik në Detin Adriatik ditën e sotme.
Në këto ditë të rënda për popullin tuaj, ju lutemi që t’i përcillen ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të ushtarëve dhe viktimave të pafajshme që humbën jetët e tyre në ngjarjet e mësipërme, së bashku me lutjet tona që shpirtrat e tyre të prehen në paqe!” – theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.
Mesazhi i ngushëllimit vjen pas situatave të vështira me të cilat është përballur shteti turk këto ditë .