Topi: Atentat ndaj demokracisë

Presidenti Topi
Presidenti Topi kër-koi në një takim urgjent dje në mesditë, krerët e institucionit të inteligjencës dhe Drejtësisë.Në Presidencë ishin Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, të cilët e informuan kreun e shtetit me hetimet rreth ngjarjes. Më parë, përmes një deklarate për mediat, kreu i shtetit duke e dënuar aktin kriminal ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi një atentat ndaj shtetit ligjor dhe Drejtësisë. Ky sulm mafioz dhe brutal, që mori jetën e gjyqtarit, është një atentat ndaj sistemit të Drejtësisë, shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri. Atentati ndaj një gjyqtari përbën kërcënim për shoqërinë dhe institucionet e shtetit, shprehet Presidenti në deklaratën e tij. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, kreu i shtetit i shprehu ngushëllimet e thella familjes Konomi dhe njëherësh u kërkoi të gjitha autoriteteve përgjegjëse për hetimin e ngjarjes kriminale, të veprojnë me përkushtim e vendosmëri për zbulimin dhe dënimin e merituar të autorëve.
Takimi

Presidenti gjatë takimit me krerët e institucioneve kushtetuese
Në takimin me drejtuesit e lartë të institucioneve të shtetit shqiptar, Presidenti Topi kërkoi një informacion të detajuar mbi zhvillimet e deritanishme që i përkasin ngjarjes tragjike të vrasjes në Vlorë të gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Pasi dëgjoi me vëmendje prokuroren e Përgjithshme, drejtorin e SHISH-it dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Presidenti i Republikës kërkoi angazhimin maksimal të këtyre institucioneve dhe strukturave të tjera vartëse për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, si dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë. Kryetari i shtetit vuri në dukje se një ngjarje e tillë, që ka tronditur gjithë opinionin publik, është një goditje tepër e rëndë ndaj figurës dhe profesionit të gjyqtarit si garant i vendosjes së drejtësisë në vend, ndaj dhe për këtë duhet një bashkëpunim shumë profesional dhe i efektshëm mes institucioneve përkatëse për të zbuluar shkaqet dhe gjetur autorët e këtij akti makabër.
Berisha: Akt i shëmtuar kriminal, autorët para ligjit
Kryeministri Sali Berisha dënoi dje aktin kriminal që mori jetën e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, në qendër të qytetit të Vlorës. Duke shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e tij, si dhe të qeverisë, ndaj familjes Konomi dhe të trupës gjyqësore të vendit, Kryeministri Berisha kërkon nga organet kompetente gjetjen dhe vendosjen para ligjit të autorëve dhe organizatorëve të këtij akti mizor, thuhet në deklaratën e bërë publike nga zyra e Kryeministrit. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:20, në qendër të Vlorës, përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë, në afërsi të godinës së Shkollës Industriale, zonë kjo shumë e populluar. Ngjarja mori përmasa edhe më të mëdha kur pak minuta pas atentatit u zbulua se viktimë kishte mbetur shtetasi Skerdilajd Konomi, 33 vjeç, me profesion gjyqtar. Trupi i të ndjerit u nxor me vështirësi të madhe nga makina e shkatërruar dhe u dërgua në spital, por si pasojë e plagëve të shumta, gjyqtari nuk mundi të mbijetonte. Më pas trupi i pajetë u dërgua në morgun e qytetit. Policia dyshon se vdekja dhe shkatërrimi i makinës, një benz 250 me targa VL 6383 B, ka ndodhur nga një sasi eksplozivi që mund të ketë qenë i telekomanduar, pasi makina, para se të shpërthente, ka qenë në lëvizje. Në Vlorë mbërritën dje prokurorë dhe ekspertë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjes makabër të ndodhur në qytetit bregdetar jugor.
Topalli: Jam e shokuar, është sulmuar shteti
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cilësoi sulm kundër shtetit atentatin ndaj gjyqtarit të Vlorës. Jam e shokuar dhe e revoltuar nga vrasja e tmerrshme e gjykatësit Skerdilajd Konomi. Ky është një sulm kundër shtetit. Organet përgjegjëse duhet të zbulojnë e të dënojnë me ashpërsinë e shpejtësinë më të madhe të mundshme organizatorët dhe ekzekutorët e kësaj vrasjeje, thuhet në një deklaratë të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja Topalli dënon ashpër këtë akt kriminal, duke theksuar se sulmi ndaj atij që i shërben shtetit është sulm ndaj shtetit e mbarë shoqërisë. Kryetarja e Kuvendit i shprehu pikëllimin dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes të Skerdilajd Konomit. Atentatin ndaj gjyqtarit të Vlorës është dënuar dhe nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ku nëpërmjet një deklarate për shtyp dënon ashpërsisht vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Duke e quajtur atë një akt terrorist, PDIU sqaron se nuk u sulmua vetëm Drejtësia, por e gjithë shoqëria.
Halimi: Autorët para Drejtësisë
VLORE – Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha dje nga Vlora se ideatorët, organizatorët dhe ekzekutorët e gjyqtarit Skerdilajd Konomi do të marrin sa më shpejt përgjigjen e merituar. Ai dënoi krimin dhe e cilësoi vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit të Vlorës, si një goditje tepër të rëndë për vetë shtetin. Ministri Halimi mbërriti në Vlorë vetëm pak orë pas ngjarjes. Pas një vizite ngushëlluese në familjen e gjyqtarit të vrarë, ministri deklaroi se grupi i hetimit po punon dhe po bën një punë të shkëlqyer me një bashkëpunim të mirë me ekspertët më të mirë të së drejtës, të Policisë Kriminale, të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët po bëjnë një hetim të mirë. Ministri garantoi se, hetimi do të jetë i shpejtë, efikas dhe organizatorët, ideatorët dhe ekzekutorët do të vihen në prangat e ligjit.
PS: Vrasja, sinjal alarmi për të gjithë
Partia Socialiste i shprehu ngushëllimet e saj familjes së gjykatësit Skerdilajd Konomi. Partia Socialiste i ofron ngushëllimet e saj të sinqerta familjes së gjykatësit Skerdilajd Konomi, që humbi sot jetën në një sulm mafioz në qytetin e Vlorës, thuhet në njoftimin e saj. Ngjarje si kjo, ku dora e krimit nuk ngurron të sulmojë e vrasë përfaqësuesit më të lartë të këtij shteti, janë të papranueshme dhe përbëjnë një sinjal alarmi për mbarë qytetarët e këtij vendi, thuhet në reagimin e PS-së. Partia