E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Grup pune për procedurat por jo për emrat e Gjykatës së lartë

Krizë e vështirë institucionale dhe kushtetuese e cila ka çuar në mos funksionimin normal të Gjykatës së Lartë. Kështu e ka konsideruar presidenti i republikës, Bamir Topi gjendjen aktuale në vend. Ai ka marrë masat sot për ngritjen e një grupi pune me qëllim asistencën në përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në gjykatën e Lartë me transparencë të plotë juridike. “Kjo situatë është krijuar nga një numër i lartë vendesh vakant në Gjykatë dhe i vonesave të shkaktuara nga procesi i zvarritur i votimit të dekreteve në Kuvendin e Shqipërisë” – thuhet në deklaratën e bërë publike nga zëdhënësja e presidentit, Mimoza Koçiu. Berisha: Te ishin bere konsultimeKryeministri Sali Berisha nga ana tjetër nuk e ka pritur mirë pyetjen e bërë nga një gazetare sot në takimin që ai po realizonte me homologun kosovar, Hashim Thaçi. “Mendja e gazetarëve udhëton. Të shkëputesh nga rrjedha e të dalësh në këtë çështje nuk është me vend, por unë do ta komentoj pyetjen tuaj”- tha Berisha. “Dekretet për Gjykatën e Lartë janë padyshim eskluzivitet i presidentit të republikës dhe nuk gjykoj se ndonjë instancë ka të drejtë ti dorëzojë emra presidentit” – vazhdoi Berisha.

“Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka parashikuar këtë formë plurale të vëzhgimit të institucioneve. Por Shqipëria ka një praktikë 18 vjeçare dhe në rast se presidenti do ta ruante këtë traditë do të konsultonte emrat me ata të cilët do ti votojnë. Mendoj se do ta bënte shumë më transparent procesin. Kjo padyshim që nuk do të bënte kërcënim të eskluzivitetit. Nuk ka të drejtë asnjë institucion që ti diktojë presidentit për emrat që dekreton” – përfundoi Berisha.

Pikërisht konsultimin lidhur me procedurën ka kërkuar të bëjë sot edhe presidenti Topi me ngritjen e grupit të punës.

“Ky grup ekspertësh dhe përfaqësuesish të jurisprudencës shqiptare do të ketë për objektiv asistencën ligjore në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë dhe do të funksionojë për një periudhë 10 ditore. Veprimtaria e tij do të realizohet në mënyrë transparente me praninë e mediave në ambientet e Presidencës së Republikës. Grupi juridik i transparencës do të shqyrtojë dokumentacionin e kandidatëve, mund të kërkojë informacione shtesë, të sugjerojë standarde dhe kritere të tjera që lidhen me etikën, moralin, nivelin profesional të kandidatëve si dhe, kur e çmon të arsyeshme mund të intervistojë një pjesë të tyre” – thuhet në deklaratën e dalë nga presidenca.

Një ndër objektivat e këtij grupi juridik është realizimi i seancave dëgjimore në Presidencë me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të cilët do të ftohen për të prezantuar rekomandimet mbi standardet dhe parimet e vlerësuara prej tyre mbi të cilat, Presidenti i Republikës do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për 6 vendet vakant.

Seancat dëgjimore dhe konsultative me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, me objekt përcaktimin e standardeve të kërkuara nga Kuvendi i Shqipërisë për gjyqtarët e lartë do të jenë transparente dhe në prezencën e medias dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare.

Në përfundim të punës 10 ditore, grupi i ekspertëve dhe i përfaqësuesve të sistemit do të prezantojë të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet e mbledhura përpara Presidentit të Republikës, i cili në mbështetje të dispozitave të Kushtetutës ka eskluzivitetin e përzgjedhjes së emrave ndërmjet kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.

Konsultimet dhe rekomandimet e të gjithë faktorëve brenda dhe jashtë sistemit mbi standardet dhe parimet e këtij procesi përzgjedhës, duhet të jenë dhe të mbeten brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore.

Ky grup pune i përkohshëm dhe konsultativ do të përbëhet nga:

1. Artur Metani Këshilltar juridik i Presidentit2. Kreshnik Spahiu zv/kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë3. Virgjil Karaj sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë4. Manjola Bejleri Kryetare e Shoq. Kombëtare të Gjyqtarëve5. Artur Kalaja, Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve6. Prof. Dr. Skënder Kaçupi Dekan i Fakultetit të Drejtësisë7. Prof. Dr. Aleks Luarasi8. Prof. Dr Rustem Gjata9. Krenar Loloçi ekspert i të drejtës Kushtetuese

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›