E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Turk: Shqipëria dhe Sllovenia nisin një fazë të re të intensifikimit të marrëdhënieve të biznesit.

Presidenti Topi:
Përshëndetje!
Edhe një herë mirëseerdhët zoti President!

Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Përfaqësues të medias!

Sot kemi në Shqipëri të ftuar Presidentin e Sllovenisë, Shkëlqesinë e tij Zotin Danilo Turk. Ne kemi patur rastin dhe më parë të takohemi së bashku në tryeza rajonale, por edhe në tryeza më të mëdha dhe kemi ndarë së bashku interesa mjaft të rëndësishme në funksion të vendeve tona. Por kjo vizitë e Presidentit Slloven në Shqipëri ka një rëndësi të veçantë, që dëshmon qartë gjithashtu se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Sllovenisë janë mjaft të mira, vijnë dhe intesifikohen çdo ditë. Jemi dy vende fqinnje në rajon, i cili po kalon një situatë të re gjeopolitike, një rajon i projektuar në rrugën euroatlantike. Pata rastin ta falenderoj Presidentin Turk për ndihmën që i ka dhënë ai personalisht dhe institucionet e Sllovenisë, rrugës së integrimit të Shqipërisë dhe padyshim momenti më i rëndësishëm që ai do ta shprehë dhe vetë është nënshkrimi nga ana e tij e dekretit për ratifikimin e Protokollit për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO i miratuar nga parlamenti slloven. Marrë në konsideratë miratimin nga parlamenti grek dje, dhe nga senati i Vendeve të Ulëta, sot jemi të gëzuar, jemi krenarë që Shqipëria edhe formalisht është vend i NATO-s, e do të konsakrohet pikërisht në 3 prill, kur të gjitha vendet partnere që e kanë ndihmuar Shqipërinë në këtë rrugë të rëndësishme, do ta bëjnë atë në mënyrë solemne.

Unë e informova zotin President për situatën politike në Shqipëri, një vend i cili ka bërë progres të dukshëm, një vend që është përfshirë në reforma të rëndësishme, reforma ekstensive, por edhe intensive, pra reforma në të gjitha fushat por në mënyrë intensive në disa drejtime shumë të rëndësishme. Të gjitha në funksion të forcimit të shtetit ligjor. E njoftova për reformën në drejtësi dhe njëkohësisht e informova për situatën që ne kemi përpara për zgjedhjet e përgjithshme politike. Momenti më i rëndësishëm i këtij konsensusi të gjerë politik ishte për herë të parë realizimi në kohë i një ligji për zgjedhjet, i cili së bashku me ndërtimin e infrastrukturës zgjedhore por edhe me detyrimin e premtimin e dhënë nga qeveria për realizimin e listës së zgjedhësve dhe të dokumentave të identitetit, do t’i bënin që në mënyrë definitive Shqipëria të dalë nga tranzicioni, që zgjedhjet të jenë në klimë të qetë, të jenë të lira, të ndershme, demokratike dhe mbi të gjitha të jenë zgjedhje të pranuara për të dhënë mundësinë që Shqipëria të ecë duke u përmirësuar në fushën e reformave dhe në rrugën e integrimit.

I thashë zotit President që një nga arsyetimet e mëdha që nuk është thjesht një shqetësim institucional, por është edhe individual, qytetar, është i të gjithëve. Është momenti kur të gjitha vendet partnere, duhet të kenë një mbështetje dhe një konsensus të gjerë që çdo qytetar i Shqipërisë, sado i thjeshtë të jetë, të ketë të drejtën legjitime që të lëvizë i lirë. Ne kemi të drejtë të kërkojmë, dhe gjeta edhe mirëkuptimin e Presidentit Danilo Turk, që kur Shqipëria ka realizime kaq të qarta dhe po integrohet në organizma kaq të rëndësishme globale dhe aspiron çdo ditë që t’i afrohet Bashkimit Evropian, gjëja më normale do të ishte që çdo qytetar i Shqipërisë të lëvizë i lirë për qëllimet e veta fisnike, ekonomike, për shkollë, për studim, për komunikim dhe besoj që jemi pikërisht në atë moment kur të gjithë po e pranojmë këtë dhe jemi në një moment kur duhet ta pranojmë.

Diskutuam dhe për çështjet e rajonit. Asnjëherë rajoni sot nuk ka qenë më i qetë se sot. Kjo në radhë të parë në sajë të një dëshire të madhe të vendeve të rajonit për të projektuar një lidership të ri politik, por edhe falë rolit të jashtëzakonshëm të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Dje Kosova mbushi një vit nga shpallja e pavarësisë së saj. Besoj që edhe për më skeptikët, nuk ishte imagjinuar që ajo situatë të kalonte aq e qetë dhe festive. Kjo tregon që udhëheqësit ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, vendet fqinjë që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë pasur të drejtë të besojnë tek lidershipi i Kosovës për cilësi shtetformuese, për kualitet drejtues, për projektimin realist të një shteti multietnik, për tolerancë fetare dhe sot pas një viti ne shohim që Kosova nuk është më një problem, por është faktor stabiliteti në rajon. Natyrisht për Kosovën sot dalin probleme të tjera që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike, me stabilitetin e mëtejshëm të institucioneve dhe së bashku me Presidentin Danilo Turk, ne angazhohemi që të rrisim partneritetin me të gjitha vendet e rajonit dhe fakti që Presidenti shoqërohet nga 32 biznesmenë tregon që sot politika është tjetër, është praktike, nuk është retorikë. Kemi vlerësuar investimet sllovene në Shqipëri. Natyrisht Presidenti Turk do të ketë mundësinë nesër të takohet me personalitete të tjera të shtetit shqiptar, ku do të diskutohet dhe për rritjen e këtyre investimeve. Mundësitë janë të jashtëzakonshme. Zoti President e ka këtë shumë të qartë. Kjo do të bëhet praktike nesër kur të jemi së bashku përpara botës së biznesit.

Edhe njëherë,mirëseerdhët zoti President!

Presidenti Turk:
Faleminderit Zoti President për fjalët tuaja të mirëseardhjes. Gjithashtu ju falenderoj për analizën që ju bëtë dhe për faktet që dhatë lidhur me marrëdhëniet tona. Qëllimi i vizitës sime këtu është i thjeshtë, është vizitë ambicioze. Është një vizitë që synon që të ngrejë marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve tona në nivele më të larta. Është një vizitë, e cila synon që të nxisë dhe të zhvillojë një partneritet të mëtejshëm me vështrim nga e ardhmja. Dhe ka shumë fusha në të cilat shprehet partneriteti ynë. Sllovenia ka qenë gjithmonë në mbështetje të aspiratës së Shqipërisë për integrimin e saj në NATO dhe BE. Parlamenti ynë vetëm kohët e fundit ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, të cilën unë sapo e nënshkrova dhe besoj dhe ne e mirëpresim Shqipërinë që të bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Strasburgut në datën 3 prill. Gjithashtu Sllovenia mbështet dhe aspiratën e natyrshme të Shqipërisë për liberalizimin e vizave me BE-në. Ne besojmë se kjo është një shprehje natyrale e dëshirës së qyetarëve shqiptarë për të lëvizur lirisht në Evropë. Gjithashtu ne besojmë se ky është një element përbërës i rrugës së Shqipërisë drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Ne vlerësojmë dhe faktin që Shqipëria po konsideron tani kërkesën e saj për statusin e kandidatit të anëtarit të Bashkimit Evropian dhe jemi të gatshëm që t’i ofrojmë asaj mbështetjen tonë si në planin politik, ashtu dhe në terma konkretë. Por doja të thoja që ambicia e vizitës së delegacionit tonë edhe në planin dypalësh është mjaft e lartë. Ne kemi shumë mundësi në marrëdhëniet tona ekonomike për të parë, për të kërkuar dhe për të shfrytëzuar. I thashë zotit President të Shqipërisë se unë kam sjellë me vete një grup me rreth 30 persona përfaqësues të sektorëve kyç të biznesit slloven që përfaqësojnë sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sllovene dhe disa prej tyre kanë krijuar tashmë një përvojë të suksesshme me investimet e tyre në Shqipëri. Prandaj ne dëshirojmë që vizita jonë tani të shënojë fillimin e një faze të re të intensifikimit të marrëdhënieve të biznesit dhe të ekonomisë ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Zoti President! Ka në fakt disa arsye përse ne e konsiderojmë që të ecim më tej me këtë lëvizje me këto aspekte të natyrshme. Ndër këto arsye do të rendisja për shembull rolin shumë konstruktiv të Shqipërisë që ka luajtur, pra që Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon dhe në të gjitha aspektet e tjera integruese. Shqipëria i ka manifestuar këto cilësi gjatë gjithë periudhave edhe të vështirë, sidomos në rastin e konfliktit në Kosovë. Dhe kur ne shikojmë tashmë gjendjen në Kosovë deritani mendojmë se duhet të jemi të kënaqur me të. Por ne duhet të krijojmë një kuptim sa më të qartë të përparësive që ne kemi për Kosovën në të ardhmen. Dhe përparësia, apo prioriteti kryesor në momentet e deritanishme mbetet forcimi i institucioneve, i demokracisë dhe i shtetit ligjor. Dhe kjo do të bëjë bazën si për përparimin dhe zhvillimin e Kosovës, ashtu dhe për krijimin e një ekuilibri sa më të mirë të shoqërisë multietnike në Kosovë. Kjo është dhe rruga e integrimit të mëtejshëm, të plotë të Kosovës në Evropë. Pra kyçi mbetet forcimi i institucioneve demokratike dhe i shtetit ligjor.

Zoti President! Ne kemi patur një axhendë mjaft të gjerë diskutimi bashkë, ne folëm për disa tema por unë mendoj se do të ketë dhe pyetje për t’i trajtuar.

Vizon +: Zoti President i Sllovenisë, a rrezikon Shqipëria anëtarësimin në NATO pas kërkesës së opozitës sllovene për të shfuqizuar ligjin, i cili ratifikon protokollet e antatësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO?

Presidenti Turk: Përgjigja e shkurtër është jo. Përgjigja e gjatë është jo domosdoshmërisht.

Vizon +: Zoti President Topi, a jeni penduar që keni heshtur për ligjin e lustracionit pas reagimit të ndërkombëtarëve dhe tani që Gjykata Kushtetuese u shpreh për të?

Presidenti Topi: Sigurisht që nuk diskutohet për vullnete individuale. Janë pozicione shumë institucionale, dhe mendimet e vendimet e maturuara natyrisht që nuk japin shanse për ndonjë lloj pendese. Besoj që ka qenë një vendim i qartë, i ekspozuar me të drejtën kushtetuese që ka Presidenti i Republikës. Dhe ajo që unë konstatoj është që të gjitha institucionet dhe faktorët politikë kanë marrë pozicionin e tyre të qartë, duke respektuar themelet e shtetit ligjor dhe duke respektuar Kushtetutën.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›