E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Katar: Mirëpresim investimet tuaja

Topi me Emirin e shtetit të Katarit

Presidenti i Republikës takon krerët e shtetit të Katarit.

Emiri i Katarit: Projekte në turizëm, miniera, agroindustri.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe delegacioni zyrtar u prit dje nga Emiri i Shtetit të Katarit, sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, në Pallatin Mbretëror. Gjatë takimit, të dy krerët e shteteve vlerësuan pozitivisht klimën shumë të mirë të marrëdhënieve e të dialogut të shkëlqyer politik që ekziston midis dy vendeve tona, të konkretizuar në shkëmbimin e vizitave të fundit bilaterale të nivelit të lartë, si dhe shprehën vullnetin për zhvillimin dhe fuqizimin akoma më tej të marrëdhënieve miqësore e të gjithanshme midis Shqipërisë dhe Katarit. Presidenti Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për shtimin e investimeve të shtetit të Katarit në Shqipëri, zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dhe projekteve konkrete në fushën ekonomike, energjetike, infrastrukturore, në bujqësi, agro-industri, sektorin minerar dhe atë të gazit, por dhe në atë të turizmit, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Emiri i Shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani, pasi e falënderoi Presidentin Topi për pranimin e ftesës dhe këtë vizitë të dytë brenda një periudhe të shkurtër në Shtetin e Katarit, vuri edhe një herë në pah marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona, duke shprehur bindjen në intensifikimin e mëtejshëm të tyre, përmes shtimit të bashkëpunimit e konkretizimit me marrëveshje e projekte të rëndësishme, të zbatueshme në fusha me interes të ndërsjellë si turizmi, bujqësia me prodhimet e saj organike, agro-industria, industria minerare etj. Dje pasdite, kreu i shtetit zhvilloi një takim me kryetarin e Këshillit Konsultativ të shtetit të Katarit, Mohamed Bin Mubarak Al Kholaifi, i cili premtoi se do të vizitojë Shqipërinë në maj të këtij viti. Presidenti i Republikës, i cili shoqërohet edhe nga një grup sipërmarrësish të rëndësishëm shqiptarë, zhvilloi dje një takim të veçantë edhe me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, sheik Khalifa bin Jasim Al Thani. Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Katarit e vlerësoi vizitën e Presidentit Topi, të shoqëruar edhe nga sipërmarrës shqiptarë, si një hap konkret për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, duke theksuar se kontakte të tilla të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të biznesit krijojnë mundësi të reja për sipërmarrje të përbashkëta dhe investime me interes të përbashkët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›