E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Turqi: Shqipëria, faktor paqeje në rajon

Topi dje në Forumin Euro-Aziatik

“Shqipëria është një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”. Kjo është deklarata e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili kryeson delegacionin zyrtar pjesëmarrës në punimet e Samitit të 14-të Ekonomik Euro-Aziatik (Forumi i Marmarasë) të Stambollit. Duke përshëndetur seancën me temë: “Njeriu i mprehtë dhe bashkëkohor. Fitimet dhe humbjet e njëzet viteve të fundit”, Topi foli për “Arritjet e Shqipërisë pas formimit të shtetit të pavarur”. “Tashmë, vendet tona të Ballkanit Perëndimor kanë flakur tutje epitetin e përçmimit që kanë pasur në shekuj si ‘fuçi baruti’. Këto vende, tani, të ardhmen e tyre e shikojnë te zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve miqësore dypalëshe e shumëpalëshe, si dhe te integrimi euroatlantik, si rruga e vetme e sigurisë, paqes dhe përparimit të këtij rajoni”, tha ai. Duke vlerësuar Forumin e Marmarasë, Presidenti Topi theksoi rëndësinë e veçantë që ka në këtë kohë bashkëpunimi ekonomik euro-aziatik, në kontrast me trazirat politike dhe mungesën e rregullit në rajone të tjera të globit. “Në 6 vitet e fundit, ekonomia botërore është rritur më shpejt se çdo herë tjetër në krahasim me 45 vitet e fundit. Vetëm në 25 vitet e fundit kanë dalë nga varfëria më shumë së 350 milionë njerëz, ose shumë më tepër sesa në 100 vitet e fundit. Në 5 vitet e fundit, mesatarja botërore e të ardhurave për frymë është rritur më shpejt se në çdo pikë të historisë së shkruar. Ky fakt na bën optimistë që të punojmë akoma më shumë për të rritur mirëqenien e popujve tanë dhe sigurimin paqes kudo në botë”, tha kryetari i shtetit, duke theksuar që Shqipëria është e angazhuar t’i bashkohet BE-së, për të cilën ka një Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit që prej vitit 2009. Duke folur për ekonominë shqiptare, Presidenti nënvizoi se sot  Shqipëria ka një rrjet rrugor që afron me standardet ndërkombëtare, që zgjerohet në çdo vit dhe priret t’i bashkohet rrjetit ballkanik. “I gjithë rrjeti rrugor dhe hekurudhor lidhet me pjesën perëndimore të Shqipërisë, ku ndodhen portet detare të Durrësit, Vlorës dhe Shëngjinit në detin Adriatik dhe ai i Sarandës në detin Jon”. Presidenti është ndalur te privatizimet dhe turizmi, duke i ftuar investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri. Sipas tij, disa sektorë ende ofrojnë mundësi të mira për fitime afatgjata, si nafta, gazi natyror, qymyri, bauksitet, kromi, bakri, hekuri, nikeli, si dhe energjia hidroenergjetike, diellore dhe ajo e erës. “Shqipëria nuk është bërë ende një destinacion madhor i turizmit, që rivalizon me vendet fqinjë, si Greqia dhe Kroacia. Megjithatë, Shqipëria karakterizohet nga një numër shumë i madh sitesh arkeologjike të qytetërimit iliro-romak, gjurmëve dhe kështjellave antike dhe mesjetare, parqe kombëtare, male dhe rezervate natyrore të mbrojtura, si dhe një bregdet prej 450 kilometrash”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›