E Shtunë, 31 Tetor 2026

Torturizëm

FATOS HAKORJA

Nuk po arrija ti përmblidhja në një fjalë të vetme dy javët e pushimeve të këtij gushti, ndaj mu desh ti qasem një loje fjalësh që u bë dhe titull i këtij shkrimi. Të bësh turizëm në Shqipëri është torturë, madje është pak të thuhet kur kupton se kjo është torturë ndaj vetes, e shkaktuar me vetëdije, e madje duke paguar kursimet e gjithë vitit për ta pësuar atë. Nuk di që një gjendje e tillë të jetë përkufizuar nga ndonjë studiues i psikanalizës.  E gjithë kjo torturë turistike vërtitet rreth shërbimit, një prej elementeve më të rëndësishme për të pasur turizëm të mirëfilltë kur natyra të ka falur një bregdet përrallor, si ai i Jonit. Por, si në çdo përrallë, edhe kjo ka shtrigën dhe demonët e saj.
Duke nisur nga supermarketi i lagjes, shitësi të këshillon ta blesh kremin nxirës dhe atë të mbrojtjes kundër diellit, pavarësisht se ti i tregon që kanë skaduar prej vitit të shkuar. Ai ta kthen plot siguri e dashamirësi se ato datat aty janë kot e se ato fare lehtë mund të trukohen, ndaj njësoj është. E, nëse për shkak të adrenalinës së nisjes së pushimeve ke aq nerva sa ti shpjegosh se ky lloj kremi tashmë jo vetëm nuk mund të të mbrojë, por mund të të dëmtojë keqas, ta kthen me një mënyrë komunikimi që ka për qëllim të të vërë në siklet, për ta pasuar fajin tek ti që je nazeli, e jo tek këto ndodhi më se normale jo vetëm në kohë pushimesh, por në 365 ditët e vitit, e madje edhe në vitin e brishtë.
Kot janë edhe ankesat për trafikun, sepse të marrësh mundimin ti qahesh ndonjë polici rrugor që rri nën 35 gradë mes pluhurit dhe tymit të makinave, vlen sa një mëkat. Nuk mundet të të thotë asgjë, veçse ti vërshëllejë bilbilit me gjysmë fryme, në një formë rënkimi të grahmave të fundit e të të tregojë rrugën përpara me tabelën që i është ngjitur pas dore nga pluhuri i kthyer në llum me ndihmën e djersës. Polici tjetër është tërësisht i zënë me periskopin ndëshkues, në pritje për të kapur ndonjë që udhëton jashtë limiteve të shpejtësisë, edhe aty ku nuk ka limite të përcaktuara për kilometra me radhë.
Pas orëve të udhëtimit herë mes trafikut e shumë herë të tjera mes rrezikut, vjen akomodimi. Në gusht, të gjesh rastësisht hotel është thuajse e pamundur.
Nëse nuk ke prenotuar në mënyrën shqiptare, pra përmes miqsh e të njohurish, gjetja e një strehe është fat i madh. Aq fat sa pati Jezusi kur, i sapolindur rrugës për në Nazaret, babai i shpëtoi jetën sepse dëgjoi rastësisht që mbreti Herod kishte dhënë urdhër të vriteshin të gjithë fëmijët nën 3 vjeç që gjendeshin në Betlehem.
Por, duke lënë hyjnoren dhe fatin në botën e shumë të panjohurave dhe duke iu kthyer akomodimit turistik në Shqipëri, duhet thënë se hotelet që mund ti prenotosh online numërohen me gishtat e dorës.
Në Moskë, në panairin ndërkombëtar të turizmit, një qytetar rus, i tërhequr pas përshkrimit që po i bënte bregdetit shqiptar një punonjës i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, u habit në shkallë sipërore, duhet thënë, kur pas pyetjes se ku mund të gjente hotele me 5 yje, punonjësi i tha se në 362 kilometra vijë bregdetare, një prej më të veçantave në zonën e Mesdheut, kishte vetëm një të tillë.
Turizmi familjar ofron kushte të tjera, ndryshe nga luksi i sforcuar i disa hoteleve dhe mjerimi i pjesës tjetër. Pas Llogorasë, dhomat nisin nga ato me divane 9mijësh, të prodhuar para se të lindja unë, e përfundojnë me ato të industrisë përpunuese të tallasheve, të Fushë Krujës.
Nuk bëhet fjalë për çarçafë, jastëkë, peshqirë, sapunë e shampo, ndonëse çmimi i dhomës është i njëjtë me atë të një hoteli me 3 apo edhe me 4 yje në vende të tjera që ofrojnë turizëm detar në Jon, Adriatik apo Mesdhe. Por kulmi arrin kur pronari i shtëpisë, pas qindra kilometrash që ke bërë me makinë e dhjetëra pyetjeve për të arritur te dhoma bosh, nëse ti i kërkon diçka më tepër se katër muret e lyera rastësisht dikur, ta kthen vëllazërisht nga fjalët e mizorisht nga sjellja: Po deshe, vëlla. Po sdeshe, ka të tjerë që presin. Të tjerët nuk janë në një mendje si unë. Konica thoshte se më e lehtë është të mbledhësh një thes me pleshta, se të bësh dy shqiptarë në një mendje.
Nga Llogoraja në Ksamil, ku syri sheh veç perla që natyra ia ka falur pa kurrfarë mundimi Shqipërisë, në shërbim të turizmit janë vënë edhe mjaft hotele me një kat funksional e dy të tjerë me tulla e llaç.
Disa ngrihen në krah të gërmadhave të ndërtesave të shembura vitin e shkuar, mes inerteve ende të pambledhura që tashmë ngjajnë me skelete të zhvarrosura. Nuk mungojnë edhe hotelet e përfunduara, të paktën në fasadë, sepse te dhoma ngjitur asaj tëndes mund të punohet ende.
Recepsionisti i hotelit të parë që ti zgjedh nuk të tregon se nuk ka ujë të ngrohtë. Kur ti e zbulon, ta kthen me natyrshëm se çe do, or burrë, se ngrohtë është, mes paturpësisë e naivitetit, a thua se nuk e dimë tashmë fare mirë se të dyja këto janë si virgjëria, që po e humbe, nuk kthehet. E kur i thua se je me fëmijë të vogël e se bashkëshortja vuan nga sinusiti, atëherë ky naiv i stërvitur, i ndjeshëm ndaj pakënaqësive të klientëve po aq sa bujarët e rospihaneve ndaj frekuentuesve të tyre të dëshpëruar, shndërrohet në solidar me hallet e tua: Aha, nuk është hotel për ty, por di një tjetër që ka ujë të ngrohtë, vetëm se do të të kushtojë 30 euro më shumë. Tek ai që të kushton sa gjysma e pensionit të babait më shumë gjen ujë të ngrohtë, por të nevojitet akull, shumë akull, për të freskuar kokën gjatë natës. Është gati të të plasë nga nxehtësia që i kanë sjellë zhurmat e pambarimta të muzikës së lokaleve, qoftoreve, mejhaneve e mariuha-neve që kanë rrethuar nga të katër anët hotelin që të shkonte aq për shtat pasdite, në harmoni me ëndrrën tënde për të pushuar paqësisht në këtë bregdet të mrekullueshëm.
Një mik më thoshte se pronari i një hoteli ku kishte paguar 40 mijë lekë për një dhomë me kushte minimale, në një plazh jo aq të frekuentuar, i kishte kërkuar para të tjera që ti jepte pultin e kondicionerit.
Gastronomia shqiptare është e preferuar për shkak të prodhimeve bio, bollëkut dhe egërsisë në mënyrën e të gatuarit (peshku, në mbi 90% të restoranteve, shifra duhet thënë se nuk është e mbështetur në ndonjë studim, të shërbehet vetëm në skarë apo i skuqur në vaj, ndonëse ekzistojnë dhjetëra mënyra të tjera të gatimit të tij). Por, teksa gjendesh përpara këtyre të mirave që njeriu e perëndia krijuan për të kënaqur shqisën e shijimit dhe për të shuar babëzinë e stomakut, nëse diçka nuk shkon me pjatën që ke zgjedhur, ndodh e papritura e dytë veç surprizës së pakëndshme me ushqimin e porositur: Po hë, mor burrë, se kjo është më e mirë, të thotë kuzhinierkamerieri kur ti i thua se nuk kishte porositur atë që ai të ka sjellë.
Një kënaqësi më pak e një qejf i prishur më shumë, por ndodh edhe më keq. Ndodh që edhe të shahen deri në brezin e shtatë përgjegjës imagjinarë të këtyre situatave të pakëndshme, që për të thënë të vërtetën, i has secili prej nesh çdo ditë, në secilin prej restoranteve, nga Velipoja në Ksamil. Kështu i ngjau një furrxhiu të shkretë kur i tregova kamerierit të një hoteli të ri e plot luks të Sarandës, se buka që më kishte servirur karshi reçelit dhe qumështit të mëngjesit, ishte e mykur. Furrxhiu, që atë bukë duket ta kishte pjekur nja 10 ditë më parë, kushedi sa do jetë ligështuar me gjithë nëmat që i lëshoi kamerieri i hotelit, emrin e të cilit, pra atë të hotelit, nuk ia vlen ta përmendim, sepse nuk e konsiderojmë me rëndësi për këtë shkrim.
Nëse një nga ditët e pushimeve të bregdetit vendos tia kushtosh turizmit kulturor, duhet të gjesh ca lidhje të mira me ata që janë punësuar për të menaxhuar Butrintin, Finiqin, Beratin, Bylisin e çdo vend tjetër arkeologjik, që të të sigurojnë ndonjë ciceron apo ta mbajnë derën çelur në orarin që janë të detyruar ta mbajnë. Drejtuesja e një agjencie turistike të njohur në Shqipëri më tregonte sa me shqetësim e ironi, aq edhe trishtim ngaqë i ishte dashur të pajtohet me një realitet anormal, se paguante para nën dorë te përgjegjësi i njërës prej këtyre pasurive të paçmuara të trashëgimisë kulturore që ti jepte çelësi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›