Trafik armësh e municionesh nga Shqipëria në Itali, arrestohet në Lezhë kreu i organizatës kriminale! Dy herë i dënuar në Milano, në pranga dhe dy të tjerë (EMRI)

Kreu i një organizate kriminale të trafikut të armëve mes Shqipërisë dhe Italisë është arrestuar nga Policia e Shtetit në Lezhë ditën e sotme, në bashkëpunim edhe me Guardia di Financën dhe zyrën e ekspertit në Ambasadën Italiane në Tiranë.
30-vjeçari Françesk Mecaj me precedentë penalë të theksuar në Milano të Italisë dhe i dënuar dy herë si kreu i grupit në Lecco për armë dhe trafik droge, u arrestua si rezultat i operacionit të koduar “Dërgesa”.
Në pranga ranë edhe dy persona të tjerë, drejtues të mikrobueis për transport udhëtarësh Shqipëri-Itali, në bagazhet e të cilit u gjet armatimi. Ai akuzohet se kishte dërguar 5 armë zjarri dhe municion drejt vendit fqinj.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:“Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Dërgesa”, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak
Operacioni u zhvillua nga DVP Lezhë në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Shkodër dhe GdF Italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri.
Dërgoi 5 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak në Itali – kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari nga Malësia e Madhe.
30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s pranë Milanos/Itali, u arrestua si rezultat i operacionit.
Në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak.
Sekuestrohen 5 armë zjarri automatike të tipit kallashnikov; qindra fishekë luftarakë dhe 4 krehra fishekësh.
Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D.. Të dy këta shtetas janë shoqëruar nga Policia Italiane për veprime të mëtejshme.
Hetimet e Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin e shtetasit F. M., 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Hot të Malësisë së Madhe, i cili kishte dërguar armët drejt Italisë kundrejt fitimit financiar.
Nga grumbullimi dhe analiza e informacionit, rezultoi se ky shtetas siguronte armë dhe municione luftarake për palë të treta në BE, duke përdorur shoqëri transporti privat dhe duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme.
Operacioni vijon në Shqipëri e Itali për identifikimin dhe kapjen e pritësit të armëve, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale ndaj shtetasit F. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.