E Enjte, 5 Nëntor 2026

Trafik armësh zjarri drejt Mbretërisë së Bashkuar, shkatërrohet grupi kriminal

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot për finalizimin e operacionit policor i koduar “INKORPORIMI”, ndjekur me metoda proaktive, për shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas Policisë, operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, BKH-në dhe autoritetet ligjzbatuese britanike.

Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. U sekuestrua një arsenal armësh i përbërë nga 25 armë zjarri (24 pistoleta dhe 1 kallashnikov), qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike. Veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika). Ndërsa janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 3 shtetas të cilët u kapën në Tiranë.

Policia njofton se, vijon puna në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet britanike, për kapjen e 3 shtetasve të tjerë që dyshohet se janë fshehur në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilët GJKKO ka caktuar të njëjtën masë sigurie.

Sipas Policisë, janë arrestuar shtetasit: A. H., B. T. dhe R. A., të tre banues në Tiranë. Arsenali i armëve dhe sendet e tjera të sekuestruara janë gjetur në banesën e shtetasit A. H., i cili nga hetimit rezulton drejtuesi i grupit kriminal. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në 6 banesa, në Tiranë dhe në Tropojë. Operacioni, në kuadër të procedimit të iniciuar në muajin prill të vitit 2023, nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Operacioni është ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, BKH-në dhe autoritetet britanike.

Në muajin prill 2023, Policia, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, sekuestroi në Portin e Durrësit, një tjetër arsenal armesh (8 pistoleta) që do trafikoheshin drejt Mbretërisë së Bashkuar, me një furgon me targa angleze, drejtuesi i të cilit u vu në pranga.

Në drejtimin e SPAK-ut dhe në bashkëpunim të ngushtë me BKH-në dhe me autoritetet ligjzbatuese britanike, vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Lidhur me operacionin, SPAK ka ndarë detaje nga dosja hetimore. Po ashtu ka ndarë dhe listën e sendeve të sekuestruara:
–          6 (gjashtë) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “GLOCK”, me numra të fshirë me mbishkrim “Glock Austria 9 x 19”.
–          1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “HERSTAL”, me numër 1534 P.
–          1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “BROWNING”, me numër 2205.
–          4 (katër) krehra pistolete ngjyrë e zezë
–          201 (dyqind e një) copë fishekë kalibër 9 mm.
–          1 650 (njëmijë e gjashtë qind e pesëdhjetë) euro
–          31 700 (tridhjetë e një mijë e shtatëqind) lekë
–          8 (tetë) aparate telefonash celularë
–          1 (një) aparat DVR, e markës “HILOOCK”,
–          dokumente të ndryshme
–          1 (një) automjet i markës Mercedes Benz Sprinter

Gjithashtu, në zbatim të vendimeve të Gjykatës, në datën 01.08.2024 është ushtruar kontroll në disa banesa, biznese, automjete apo dhe kontroll personal të personave ku janë gjetur dhe sekuestruar sendet e mëposhtme:
–          24 armë zjarri pistoletë
–          1 automatik kallashnikov
–          pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit (gjilpëra, susta, shul, qyt etj.,)
–          49 krehëra (karikator) të llojeve të ndryshme,
–          2 thika
–          409 fishekë të kalibrit të ndryshëm,
–          1 palë pranga
–          10 pajisje speciale optike dhe lazeri
–          4 automjete
–          1 motor
–          1 palë veshje ushtarake
–          1 helmetë e forcave speciale
–          4 aparate celularë
–          2 laptop
–          1 njësi qendrore
–          290 euro
–          13,000 lekë
–          kartë Sim Vala (kosovare)

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale. /a.f/

1 nga 2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›