Trafik i dendur pas festave në Morinë–Vërmicë, shtohet lëvizja e qytetarëve

Pas përfundimit të pushimeve të fundvitit, pika kufitare Morinë–Vërmicë po përballet me një rritje të ndjeshme të qarkullimit të automjeteve dhe udhëtarëve. Vetëm në 24 orët e fundit, në hyrje të Shqipërisë janë regjistruar rreth 14 mijë e 900 shtetas që kanë udhëtuar me mbi 4 mijë e 400 automjete, ndërsa në dalje janë evidentuar mbi 17 mijë qytetarë dhe afro 5 mijë mjete.
Lëvizjet intensive lidhen kryesisht me kthimin e pushuesve nga zonat turistike të Kosovës, si Rugova, Brezovica, Prizreni dhe Gjakova, të cilat kanë qenë ndër destinacionet më të frekuentuara gjatë festave. Paralelisht, fluksi është shtuar edhe nga emigrantët, që po rikthehen drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë, duke rritur ndjeshëm trafikun në këtë aks kufitar.
Autoritetet kufitare njoftojnë se janë angazhuar maksimalisht për të përballuar situatën, duke vënë në funksion 12 sportele në hyrje dhe dalje. Sipas tyre, masat e marra synojnë të shmangin radhët e gjata dhe të sigurojnë një kalim sa më të shpejtë, të rregullt dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët.