E Enjte, 5 Nëntor 2026

Trafikonte drogë në territorin gjerman, SPAK arreston financuesin e grupit kriminal

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar drejtuesin dhe financuesin e një grupi të strukturuar kriminal, që bazuar në hetimet e kryera nga autoritetet gjermane, kryente trafikun e drogës në territorin e Gjermanisë.

Në një njoftim zyrtar, SPAK bën të ditur se nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit më 2 korrik në afërsi të ambienteve të SPAK-ut, është bërë e mundur që të ekzekutohet masa e sigurimi personal “arrest në burg”, për personin nën hetim I.S.

Sipas njoftimit të SPAK, bazuar në aktet dhe provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar e provuar se personi i arrestuar I.S është drejtuesi dhe financuesi i kësaj veprimtarie të paligjshme kriminale.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës dhe nga janë ekzekutuar 4 (katër) vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).

Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane të drejtësisë, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për interesa të të cilave janë ndërmarrë një sërë veprime të rëndësishme hetimore.

Nga aktet e administruara për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, autoritetet gjermane të drejtësisë e më konkretisht Prokuroria e Braunschweig, ka vijuar me kryerjen e hetimeve ndaj një grupimi në përbërje të të cilit kishte disa shtetas shqiptarë, të cilët, si pjesë e një grupi kriminal, gjatë viteve 2020-2021, kanë importuar në Republikën Federale Gjermane, në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuanë. Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, është tregtuar në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Për interesa të këtij procedimi penal janë administruar aktet nga autoritetet gjermane dhe franceze të drejtësisë, ku nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 12 personave nga atë cilët 8 janë shqiptarë dhe 4  shtetas gjermanë të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Gjatë hetimeve janë evidentuar 9 episode dhe është provuar se sasia e lëndës narkotike të trafikuar është 912 kg marijuanë, kurse vlera e lëndës narkotike të trafikuar kap vlerën prej 3.374.400 euro.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›