E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i 42 kg drogë, anulohet dënimi

Gjykata Kushtetuese vendos rikthimin për gjykim të dosjes së Leonard Luzit, ishte dënuar me 6 vjet burg.

Kushtetuesja: Krimet e Rënda gabuan në gjykimin e 26-vjeçarit.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë dënimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 6 vjet burg ndaj shtetasit Leonard Luzi me akuzën e trafikimit të narkotikeve. Sipas Kushtetueses, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka cenuar të akuzuarit të drejtën e mbrojtjes dhe të drejtën e një procesi të drejtë penal. Personi që përfiton nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese është arrestuar më 20 dhjetor 2008 gjatë operacionit të policisë të koduar me emrin “Skai” në Përmet. Gjatë këtij aksioni, policia ka vënë në pranga Leonard Luzin, asokohe 26 vjeç, lindur e banues në Kashar, si dhe shtetasit O.M., 36 vjeç, J.M., 25 vjeç, Sh.M., 20 vjeç. Arrestimi i personave në fjalë, siç deklaroi Policia, është bërë në vendin e quajtur “Tri Urat”, 25 kilometra nga Përmeti. Personat e dyshuar, sipas Policisë, kanë qenë duke udhëtuar me dy automjete, përkatësisht “Opel” me targa të huaja BS 055 JE dhe “Benz’ me targa TR 6928 J. Policia ka deklaruar se gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Opel” u konstatuan tri çanta shpine të mbushura me pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike marijuanë”. Nga peshimi i lëndës narkotike, ka dalë se pesha e saj ka qenë 42 kilogramë. Pas arrestimit të katër personave, dosja penale ndaj tyre u referua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila zhvilloi hetimet dhe në përfundim të mbledhjes së provave e dërgoi çështjen për shqyrtim.
Gjykimi
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në datën 4 dhjetor 2009, deklaroi fajtor shtetasin Leonard Luzi për veprën penale të “trafikimit të narkotikeve”, mbetur në tentativë, dhe e dënoi atë me 9 vjet burgim. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar ndaj tij u bë ulje e 1/3 të dënimit, ku përfundimisht ndaj të akuzuarit u vendos 6 vjet burgim. Çështja shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka gjetur parregullsi në kualifikimin e veprës penale dhe në zbatimin e të drejtës së të pandehurit për t’u mbrojtur me anë të avokatit. “Gjykata Kushtetuese çmon se në thelb të pretendimeve të kërkuesit për cenim të të drejtës për t’u informuar për akuzën e ngritur dhe të drejtës për t’u mbrojtur, qëndron e drejta e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm për të ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale dhe për pasojë, për të dënuar të pandehurin për një vepër të ndryshme nga ajo për të cilën është akuzuar nga prokurori në kërkesën për gjykim, kur ndërkohë nga gjykata është proceduar me gjykim të shkurtuar”, thuhet në vendimin e zbardhur të Kushtetueses. Sipas saj, për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese sheh të arsyeshme të analizojë paraprakisht dy institutet në fjalë. Sipas Kushtetueses, gjykimi i shkurtuar nuk realizohet automatikisht vetëm me kërkesën e të pandehurit, por kërkon edhe miratimin e gjyqtarit, i cili mund të refuzojë kërkesën, nëse mendon se është i nevojshëm një proces i mirëfilltë penal. Gjykata Kushtetuese, duke u bazuar në vlerësimet e lartpërmendura, vëren se kërkuesi duke marrë në konsideratë kualifikimin e veprës penale të “moskallëzimit të krimit”, të kryer nga prokurori, si dhe duke vlerësuar dënimin e parashikuar për këtë vepër penale (në rast të deklarimit fajtor të tij nga gjykata), ka kërkuar të procedohet me gjykim të shkurtuar, në gjendjen që janë aktet. Në lidhje me këtë vepër penale, duke hequr dorë kështu në mënyrë të vullnetshme nga disa të drejta kushtetuese në gjykim, në mënyrë që të përfitojë nga avantazhet (ulja e dënimit) e përcaktuara nga legjislatori për këtë qëllim; ndërsa gjykatat e juridiksionit të zakonshëm edhe pse kanë pranuar kërkesën e të dënuarit për të proceduar me gjykim të shkurtuar në lidhje me veprën penale të “moskallëzimit të krimit”, e kanë deklaruar fajtor dhe dënuar për një vepër penale të re, më të rëndë, atë të “trafikimit të narkotikeve” duke i cenuar kështu kërkuesit të drejtën e mbrojtjes në lidhje me veprën për të cilën është deklaruar fajtor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›