E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Kretë/ Dy shqiptarë humbin jetën në aksident

Dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor, i ndodhur në zonën e Kolymbarit, në Hania të Kretës.

Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 në autostradën kombëtare, kur motoçikleta me të cilën udhëtonin dy shtetas shqiptarë, të moshave 28 dhe 34 vjeç, doli nga rruga për shkaqe që ende nuk janë sqaruar.

Si pasojë e daljes nga korsia, të rinjtë u përplasën me parmakun metalik mbrojtës, duke marrë plagë fatale.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, të cilat i transportuan me ambulancë drejt Spitalit të Hanias. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, të dy u shpallën të vdekur.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit tragjik.

/abcnews.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›