Tragjedi në Malishevë, gruaja shtatzënë vdes pas plagosjes me armë zjarri

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift bashkëshortor është plagosur me armë zjarri.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi tha për KosovaPress se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona të plagosur, një burrë dhe bashkëshortja e tij.
“Me datë 23.08.2026 rreth orës 23:20, jemi njoftuar për një rast të plagosjes me armë zjarri në fshatin Kërvasari-Malishevë.Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi janë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur nga arma e zjarrit. Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim në QKUK. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Rreth orës 01:10, nga QKUK jemi njoftuar se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Vrasje e rëndë”, ka thënë ajo.
Sipas informacioneve gruaja ishte shtatzënë.
Detaje të reja nga tragjedia në Malishevë, bashkëshorti në gjendje kritikeProkuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e rëndë që ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, viktima, e cila ishte bashkëshortja e personit të dyshuar, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ndërkaq, i dyshuari, i gjinisë mashkullore, ka pësuar po ashtu plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas njoftimit të QKUK-së, ai ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.
Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i shtetit, ndërsa me urdhër të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e autopsisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave relevante”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.