E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tragjedia e Koçanit, akuzohen 37 persona, përfshirë Ish-ministra e drejtues vendorë, pas zjarrit fatal me 62 viktima në klubin e natës

Tre muaj pas tragjedisë së tmerrshme në klubin e natës “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona, Prokuroria Publike ka përmbyllur hetimin dhe ka ngritur akuza kundër 37 personave. Ky zhvillim vjen pas një hetimi të thelluar që fillimisht kishte nën hetim 50 të dyshuar.

Kryeprokurori Lupço Kocevski theksoi se të akuzuarit kryesisht akuzohen për “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” sipas nenit 292 të Kodit Penal. Njëri nga të akuzuarit do të ndiqet penalisht edhe për ryshfet dhe falsifikim dokumentesh.

Mënyra e kryerjes së veprave penale dhe shkaqet e zjarrit

Kocevski bëri të qartë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale “duke qenë të vetëdijshëm, duke mos vepruar sipas dispozitave dhe rregullave teknike për mbrojtje”.

Prokuroria konfirmoi se shkaku i zjarrit ishin mjetet piroteknike të ndezura brenda objektit, të cilat ishin furnizuar në mënyrë të paligjshme dhe për përdorimin e të cilave nuk ishte bërë asnjë paralajmërim në polici.

Ndërprerja e hetimeve dhe mungesa e provave

Ndërkohë, procedura është ndërprerë për 11 të dyshuar, përfshirë dy ish-ministra të Ekonomisë, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme. Për dy persona të tjerë, hetimi ka ndaluar: për njërin për shkak të gjendjes shëndetësore dhe për tjetrin pasi ka ndërruar jetë. Kocevski theksoi se nëse në të ardhmen do të sigurohen prova të reja, procedura mund të vazhdojë edhe për këta persona.

Lista e të akuzuarve: Pronarë, zyrtarë shtetërorë dhe vendorë

Të akuzuarit e parë janë tre persona përgjegjës – pronarë dhe drejtues të personave juridikë – që kanë menaxhuar klubin e natës “Puls”. Sipas Prokurorisë, objekti ishte ridestinuar në kabare nëpërmjet procedurave të paligjshme dhe nuk plotësonte kushtet minimale teknike. Klubi kishte qenë në kundërshtim me ligjet për ndërtim, nuk kishte plan për vlerësimin e rrezikut, mbrojtje dhe shpëtim, ishte ndërtuar me materiale lehtësisht të djegshme dhe i mungonte sistemi kundër zjarrit.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe dy ish-ministra të Ekonomisë, pasi nga zyrat e tyre kanë dalë licencat për funksionimin e klubit “Puls” edhe pse objekti nuk i plotësonte kushtet ligjore; një sekretare shtetërore dhe pesë zyrtarë shtetërorë. Njëri prej tyre akuzohet se ka përgatitur vazhdimisht licencat për “Puls” dhe ka kërkuar e pranuar ryshfet për sigurimin e tyre, përfshirë 12,000 denarë në vitin 2019 dhe 226,000 denarë në 2024 për dy licenca të falsifikuara me vulë zyrtare dhe nënshkrim të falsifikuar të sekretarit shtetëror.

Tre ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, të cilët nuk ndërmorën veprime për të ndaluar funksionimin e klubit, ndonëse objekti nuk ishte parashikuar në Planin Detal Urbanistik.

Katër drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (që shërbyen në vitet 2012-2025) dhe një inspektor i kësaj drejtorie. Ata akuzohen se nuk kanë organizuar mbikëqyrje për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe asnjëri prej drejtorëve nuk ka emëruar inspektor për Koçanin.

Tre inspektorë ndërtimorë të Komunës së Koçanit, të cilët nuk kanë kryer asnjë mbikëqyrje inspektuese.

Katër inspektorë nga Inspektorati Shtetëror, të angazhuar për rajonin e Koçanit, Sveti Nikoles, Dellçevës, Berovës dhe Vinicës, të cilët nuk kanë vepruar dhe kryer inspektime, shkruan Alsat.mk.

Pesë persona të tjerë lidhur me sigurimin e objektit, përfshirë drejtuesin e një agjencie private sigurie nga Shkupi dhe katër persona që kryenin sigurimin fizik, njëri prej të cilëve pa licencë. Ata nuk kanë vepruar sipas Ligjit për Sigurim Privat, e kanë siguruar klubin pa vlerësim të sigurisë, kontroll të kushteve të sigurisë, hyrje-daljeve, rregullsisë dhe plotësimit të kapaciteteve. Më tej, nuk ka pasur plan për siguri dhe evakuim, nuk kanë ndaluar hyrjen e të miturve dhe kanë lejuar hyrjen e më shumë personave se sa kapaciteti, disa prej tyre edhe pa bileta.

Kjo dosje e gjerë penale pritet të jetë një proces i gjatë dhe i ndërlikuar gjyqësor, me një numër të madh të akuzuarish dhe përfshirje të niveleve të ndryshme të institucioneve shtetërore dhe private.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›