Tragjedia e Novi Sadit, Gjykata e Lartë e qytetit rrëzon akuzat ndaj ish-ministrit Goran Vesiç

Një gjykatë serbe ka rrëzuar akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit të Ndërtimit, Goran Vesic, në një çështje që ka lidhje me tragjedinë e nëntorit të 2024-s në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, shembja e strehës së të cilit shkaktoi 16 viktima.
Goran Vesic, 56 vjeç, i cili u dorëhoq disa ditë pas tragjedisë, u vu nën akuzë së bashku me 12 persona të tjerë për vepra penale që kanë lidhje me cenimin e sigurisë publike nga kryeprokurori i Novi Sadit.
Megjithatë, gjykata e lartë e Novi Sadit argumentoi se nuk kishte prova të mjaftueshme që mund të mbështesnin dyshimin se Vesic dhe pesë të pandehur të tjerë kishin kryer krimet e pretenduara. Ndërsa gjyqi ndaj shtatë të pandehurve të tjerë do të vijojë. Prokuroria e Novi Sadit u shpreh se do të apelonte.
Por Vesic do të vijojë të jetë nën masën e sigurisë arrest në shtëpi, pasi është i dyshuar në një tjetër çështje që po hetohet nga prokurori i krimit të organizuar dhe korrupsionit, në lidhje me aspektet financiare të aksidentit. Të dyshuar në këtë çështje janë 12 persona të tjerë, përfshirë edhe ish-ministrin Tomislav Momirovic.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit Publik Europian po heton keqpërdorimin e fondeve europiane për punimet e rindërtimit të stacionit hekurudhor, para se të ndodhte tragjedia. Tragjedia e Novi Sadit shkaktoi protesta mbarëkombëtare në vend, ndërsa ndërtesa e rinovuar së fundmi e stacionit hekurudhor konsiderohet gjerësisht si simbol i korrupsionit.
/rtsh.al/