Tragjedia hekurudhore në Spanjë trondit, pengon shanset e Sanchez për rizgjedhje

Spanja është tronditur nga një tjetër aksident i rëndë hekurudhor, ku kanë humbur jetën 69 persona. Përplasja ndodhi në linjën e trenave me shpejtësi të lartë, në jug të Madridit, duke rikthyer frikën dhe pasigurinë te qytetarët për sigurinë e transportit hekurudhor.
Ngjarja vjen vetëm nëntë muaj pas një tjetër aksidenti tragjik pranë Kordobës, ku humbën jetën 46 persona. Këtë herë, trupat e viktimave u gjetën mes rrënojave të trenave, të shpërndara përgjatë shinave dhe në një zonë të pjerrët pranë tyre.
Përtej dhimbjes së familjeve që kanë humbur të afërmit, aksidenti ka shkaktuar një krizë të madhe besimi ndaj sistemit hekurudhor dhe qeverisë së kryeministrit socialist Pedro Sánchez.
Ministri i Transportit, Óscar Puente, ka deklaruar se shkak i mundshëm i tragjedisë ka qenë gabimi njerëzor. Gjatë një deklarate për mediat, ai paraqiti versionin e qeverisë dhe hodhi poshtë akuzat për mungesë investimesh në infrastrukturën hekurudhore.
Sipas ministrit, sistemi i sigurisë dhe sinjalizimit të trenave nuk është i vjetëruar dhe përdoret edhe në vende si Gjermania dhe Austria. Ai pranoi se sistemi ka regjistruar 170 defekte gjatë këtij viti në Spanjë, por tha se një numër i tillë është brenda niveleve normale për vendet e Bashkimit Europian.
Megjithatë, pikëpyetjet më të mëdha lidhen me mënyrën se si është menaxhuar situata pas problemeve teknike. Sipas shpjegimit të ministrit, në momentin kur sistemi dështoi, kontrolli i trenave kaloi në mënyrë manuale dhe ndodhën disa gabime nga personeli.
Një prej tyre ishte urdhri që iu dha një treni të ndaluar për të rifilluar lëvizjen, me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë, edhe pse në të njëjtën linjë ndodhej një tjetër tren i bllokuar. Rreziku i përplasjes ishte i dukshëm edhe në komunikimet mes punonjësve dhe në ekranet e qendrës së kontrollit në Madrid.
Pavarësisht kësaj, trenit që po lëvizte nuk iu dha urdhri për të ndaluar.
Ministri Puente ka refuzuar të japë dorëheqjen, duke thënë se detyra e tij është të qëndrojë në post, të japë shpjegime dhe të punojë për përmirësimin e sistemit. Ndërkohë, opozita kërkon largimin e tij, duke e cilësuar dorëheqjen si një akt përgjegjësie morale dhe politike.
Aksidenti i fundit ka rikthyer edhe një herë vëmendjen te tragjedia e janarit pranë Kordobës, ku hetimet paraprake sugjeruan se një çarje në shina mund të kishte shkaktuar përplasjen. Edhe pse bëhet fjalë për dy ngjarje me shkaqe të ndryshme të mundshme, të dyja kanë tronditur besimin e qytetarëve te transporti hekurudhor.
Situata është kthyer edhe në një problem të madh politik për kryeministrin Pedro Sánchez, i cili përballet me një sërë krizash, përfshirë akuzat për korrupsion ndaj familjarëve të tij, të cilat janë mohuar, si dhe kritikat për mënyrën se si qeveria ka menaxhuar çështje të tjera të brendshme.
Në këtë klimë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare që Sánchez ka shpallur pritet të jenë edhe më të vështira për socialistët. Sondazhet e fundit favorizojnë Partinë Popullore të qendrës së djathtë, e cila mund të formojë një qeveri të përbashkët me partinë e ekstremit të djathtë Vox.
Ekspertët vlerësojnë se aksidenti mund të ndikojë ndjeshëm edhe në vendimin e qytetarëve për votën, pasi pakënaqësia ndaj qeverisë po rritet.
Ndërkohë, në Madrid janë zhvilluar protesta të vogla nga grupe të ekstremit të djathtë, ndërsa policia është vënë në gatishmëri për të parandaluar incidente të tjera.
Frika dhe zemërimi janë të dukshme edhe te qytetarët që përdorin çdo ditë trenat e shpejtësisë së lartë. Paloma, një udhëtare në stacionin e Toledos, tha se pas kësaj tragjedie ndihet e pasigurt dhe se ngjarja mund të ndikojë edhe në votën e saj në zgjedhjet e ardhshme.
Edhe Lucía, e cila udhëton çdo ditë me trenin AVE drejt Madridit, pranon se tashmë ka frikë të përdorë këtë shërbim.
“Ky ishte gabim njerëzor, por tani kemi pasur dy aksidente me më shumë se 100 viktima. Gjërat janë vërtet keq dhe diçka duhet të ndryshojë”, u shpreh ajo.
Tragjedia e fundit ka hapur një debat të madh në Spanjë për sigurinë e trenave, përgjegjësinë e institucioneve dhe nevojën për ndryshime në sistemin hekurudhor.

