Tragjedia në Berlin Pride, identifikohet i dyshuari kryesor, vijon kërkimi masiv nga policia

Autoritete gjermane kanë identifikuar shtetasin Abdul Ballout si të dyshuarin kryesor për sulmin e përgjakshëm të ndodhur gjatë festimeve të Paradës së Krenarisë (Berlin Pride). Si pasojë e kësaj ngjarjeje, një grua ka humbur jetën dhe të paktën 29 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Policia ka nisur një operacion masiv kërkimi, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse i dyshuari ka vepruar i vetëm apo me bashkëpunëtorë.
Profil i të dyshuarit
Abdul Ballout, i lindur në Gjermani në vitin 2004, është një shtetas gjerman me prejardhje libaneze. Nëna e tij kishte marrë shtetësinë gjermane në vitin 2002.
Sipas të dhënave të bëra publike, Ballout nuk është një emër i panjohur për organet e ligjit, pasi më parë ka pasur precedentë penalë. Ai ishte dënuar me një vit e 10 muaj burg nga gjykata e Berlinit, por ky dënim i ishte konvertuar në lirim me kusht.
Përveç skedës penale, autoritetet konfirmojnë edhe prirjet e tij ekstremiste. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, deklaroi se i dyshuari ishte pjesë e skedave të sigurisë për shkak të lidhjeve me radikalizmin.
“Ballout ishte i njohur për organet e rendit për pjesëmarrjen e tij në skenën islamike dhe rezultonte se ishte radikalizuar më parë,” tha Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt.
Hetimet dhe pperacioni policor në terren
Përpjekjet për kapjen e të dyshuarit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes kanë angazhuar një numër të madh forcash të rendit. Zëdhënësi i Policisë së Berlinit, Florian Nath, në një deklaratë për mediat sqaroi se pistat e hetimit mbeten të hapura sa i përket mundësisë së bashkëpunëtorëve.
“Një ose më shumë të dyshuar mund të jenë të përfshirë në këtë sulm. Në këtë fazë, nuk e dimë ende me saktësi se cilët mbështetës apo bashkëpunëtorë mund të kenë marrë pjesë,” u shpreh Florian Nath.
Gjatë ditës së sotme, forcat e policisë kontrolluan një apartament në rrugën Bissingzeile, në lagjen Tiergarten, shumë pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Prona dyshohet se ka lidhje të drejtpërdrejtë me sulmin e së shtunës mbrëma.
Garantimi i sigurisë dhe kapja e të dyshuarit mbeten prioriteti kryesor i policisë së Berlinit, e cila ka angazhuar më shumë se një mijë efektivë pa ndërprerje që nga nata e ngjarjes. Hetimet vazhdojnë.
/rtsh.al/