Tragjedia në Koçan/ Lot në sy për viktimat, familjarët mbajnë në duar fotografitë e njerëzve të dashur

Maqedonia e Veriut është në zi kombëtare, pas ngjarjes tragjike të ndodhur ditën e diel (16 mars). Rreth orëve të para të mëngjesit, 59 të rinj humbën jetën tragjikisht pasi klubi i natës “Pulse” u përfshi nga flakët, si dhe mbetën të plagosur rreth 196 të tjerë.
Në Koçan vazhdojnë tubimet nga familjarët e viktimave, por edhe nga qytetarët e tjerë.
Në fotot e publikuara nga mediat maqedonase, të afërmit e personave që humbën jetën, mbajnë në duar portretet e tyre.
Dhimbje dhe njëkohësisht zemërim për tragjedinë, pasi u zbuluan disa shkelje në diskotekën e Koçanit.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, pohoi një ditë më parë se ekzistojnë dyshime që kompania në qendër të tragjedisë ka pasur dy licenca, njëra prej të cilave ka qenë e falsifikuar dhe në bazë të saj ka vazhduar të veprojë si diskotekë. Mickoski premtoi se përgjegjësit për ngjarjen e rëndë, do të identifikohen publikisht.

Drejtori i Komisionit Qendror Ushtarak, Stojançe Angelov njoftoi se varrimi i 59 viktimave në Koçan do të bëhet të enjten, më 20 mars.
“Në varrim do të marrin pjesë kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, Shenjtëria e tij Stefan, si dhe disa peshkopë nga Sinodi. Kisha po bën gjithçka që këta fëmijë të largohen në mënyrë sa më dinjitoze”, tha Angelov.
/vizionplus.tv