Tragjike në SHBA/ Të shtëna me armë në universitet, 2 të vdekur dhe të paktën 20 të plagosur

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur Universitetin Brown në qytetin Providence, në shtetin Rhode Island. Si pasojë e sulmit, dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 20 të tjerë janë plagosur.
Tetë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën, sipas autoriteteve. Policia e Rhode Island vazhdon kërkimet për autorin e dyshuar, i cili është ende në arrati.
Ngjarja ka ndodhur në godinën e inxhinierisë Barus & Holley, ku në atë moment po zhvilloheshin provimet. Rrugët përreth kampusit u bllokuan për disa orë dhe siguria u përforcua ndjeshëm. Forcat e rendit po kërkojnë një burrë të veshur me rroba të errëta.
Gjatë natës janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorin. Autoritetet kanë paralajmëruar se pamjet mund të bëhen publike për të ndihmuar hetimin. Studentët mësuan për sulmin përmes alarmeve emergjente në telefonat e tyre.
Universiteti u mbyll menjëherë dhe studentët u strehuan në klasa sipas protokolleve të sigurisë. Shumë prej tyre qëndruan të fshehur nën banka për rreth dy orë. Operacioni për kapjen e autorit u vështirësua nga fluksi i madh i njerëzve në qytet për shkak të aktiviteteve festive të Krishtlindjeve.
Kryebashkiaku i Providence, Brett Smiley, deklaroi se emrat e viktimave nuk janë bërë ende publikë. Sipas Gun Violence Archive, kjo është shtëna e 389-të e këtij lloji në SHBA gjatë këtij viti.
Ngjarja e rëndë, reagon presidenti Trump
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në universitet.
Ai shprehet se është informuar në lidhje me këtë ngjarje, duke shtuar se policia po informohet në lidhje me atë që ka ndodhur dhe po kryen veprimet përkatëse.
“Jam informuar për ngjarjen e rëndë me armë që ndodhi në Universitetin Brown në Rhode Island. FBI ndodhet në vendngjarje. I dyshuari është vënë në pranga. Zoti i bekoftë viktimat dhe familjet e viktimave!”, shkruan në X, presidenti Donald Trump.