Trajneri Edlir Tetova largohet nga K.F. Egnatia

TIRANË, 3 maj /ATSH/ KF “Egnatia” ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Edlir Tetova, me efekt të menjëhershëm, për arsye personale të teknikut.
Në njoftimin e klubit theksohet se vendimi vjen pas një periudhe suksesi për skuadrën, gjatë së cilës Tetova ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në arritjet e ekipit.
“Klubi shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë nga Tetova, i cili me përkushtim dhe profesionalizëm ka shkruar një nga kapitujt më të suksesshëm në historinë e Egnatias”, thuhet në reagimin zyrtar të klubit.
KF “Egnatia” nënvizon se trajneri ka kontribuar në sjelljen e trofeve dhe rezultateve të rëndësishme për klubin dhe qytetin e Rrogozhinës.
Deri në emërimin e trajnerit të ri, drejtimin e skuadrës do ta marrë ndihmësi i trajnerit, Brahja.
Klubi i ka uruar gjithashtu Edlir Tetovës suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale dhe jetën personale.
/gj.m/r.e/