Trajtimi i ujërave të ndotura, operatorët turistikë në Vlorë: Janë paguar lekët, por nuk kanë ardhur paisjet

Vitin që lamë pas, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit miratoi ndryshimet ligjore të cilat detyronin subjektet private në bregdet të investonin në blerjen dhe vendosjen e impianteve të përpunimit të ujërave të ndotura, duke shmangur derdhjen e tyre në det. Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistik në Vlorë, tregon se njësitë hoteliere në Vlorë janë gjobitur madje nga task-forca e turizmit pasi nuk i kanë vendosur këto impiante në kohë. Tashmë ata kanë bërë pagesën për blerjen e tyre, por firmat e kontraktuara për t’i vendosur ato në punë nuk po sjellin bazën materiale.
Vasil Bedinaj tregon se shumë prej subjekteve në Vlorë janë të lidhura me sistemin e kanalizimeve, ndaj ky investim, i cili parashikon sërish derdhjen e tyre në det nga çdo biznes, ishte i panevojshëm.
Turoperatorët në Vlorë, sipas tij, i qëndrojnë idesë që të kontribuojnë nga të ardhurat e tyre në krijimin e një investimi më afatgjatë.
“Duhet folur edhe me pushtetin lokal në mënyrë që të bëjmë një investim më afatgjatë, mbledhim fonde nga çdo subjekt dhe japim një zgjidhje në kohë, sepse në 10 vitet e ardhshme Vlora do të ketë edhe më shumë ndërtime resortesh“, tha Bedinaj.
Në muajin janar të vitit që lamë pas, u lancua kjo nismë ligjore edhe në Vlorë, ku bizneseve u la 90 ditë kohë për instalimin e impianteve të përpunimit të ujërave të ndotura. Pas përfundimit të afatit, në terren zbriti Task Forca, duke ndëshkuar me miliona lekë gjobë subjektet private që nuk e kishin instaluar ende.