E Martë, 3 Nëntor 2026

Tramp dhe Hejli përballen kokë më kokë në Nju-Hampshir

Votuesit në Nju Hempshir do të votojnë të martën për rrethin e parë të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, teksa ish-presidenti amerikan, Donald Tramp (Trump) përballet me kundërshtaren e tij republikane Niki Hejli (Nikki Haley), njofton Radio Evropa e Lirë.

Ish-presidenti Tramp shpreson që të mposhtë ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, dhe ish-ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Hejli, në anën tjetër, ka shpresë që votuesit e pavarur do t’i ndihmojnë për të fituar garën.

Kjo është gara e dytë që zhvillohet në mesin e republikanëve, pas fitores së Trampit në Ajoa, javën e kaluar.

Edhe demokratët do të votojnë të martën në rrethin e parë të zgjedhjeve në Nju-Hempshir, mirëpo për shkak të mospajtimeve mes zyrtarëve partiakë lokalë dhe atyre në nivel kombëtar, Xho Bajden (Joe Biden) është presidenti i parë në detyrë, emri i të cilit nuk është në fletën e votimit.

Gara për nominimin e republikanëve është ngushtuar në dy të dielën, pasi guvernatori i Floridas, Ron Desantis (DeSantis), i ka dhënë fund fushatës dhe i është bashkuar kampit të Trumpit.

Ai është vetëm njëri prej dhjetëra konkurrentëve republikanë që i kanë dhënë fund garës për president.

Shumë mbështetës së Desantisit besojnë se Trampi është kandidati ideal i republikanëve për president.

Trampi, 77-vjeçar, ka thënë të hënën në Nju-Hempshir që “nëse dëshironi një kandidat humbës që vendos Amerikën në rangun e fundit, votojeni Niki Hejlin”.

Hejli, 52-vjeçare, ka thënë se Trampi është i preokupuar me paditë civile dhe penale që rëndojnë mbi të.

Vetë Trumpi i hedh poshtë të gjitha akuzat, duke thënë se janë ndërtuar mbi baza politike.

Secili banor në Nju-Hempshir mund të votojë dhe ky shtet konsiderohet më i moderuar, në krahasim me Ajoan tejet konservatore.

( Sipas Radios Europa e Lirë )

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›