E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferimi i Erion Veliaj në Fier, reagojnë zyrtarët e BE: Të respektohet pavarësia e gjyqësorit

Paraburgimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe dhuna në protestat e fundit në Shqipëri ishin ndër çështjet që zunë vend edhe gjatë takimit të katërt të Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, të mbajtur në Elbasan.

Antonio Mazzeo,bashkëkryetar i Komitetit të Përbashkët Konsultativ mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, një strukturë që merret me rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit europian, u ndal edhe te paraburgimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke nënvizuar rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë dhe të respektimit të pavarësisë së gjyqësorit.

Ai iu referua edhe raportit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili ngre shqetësimin për praktikën e zgjatjes së paraburgimit të kryetarëve të bashkive.

Një tjetër çështje që Mazzeo trajtoi ishte reforma territoriale. Sipas tij, ndryshimet në organizimin e pushtetit vendor duhet të mbështeten te funksionet dhe përgjegjësitë e bashkive dhe jo te interesat elektorale.

Zyrtari europian foli gjithashtu për protestat e dhunshme të ditëve të fundit në Shqipëri, duke theksuar se dhuna është e papranueshme.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila dënoi dhunën gjatë protestave. Megjithatë, diplomatja europiane nënvizoi se institucionet duhet të kenë kapacitetet e nevojshme për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe për t’u dhënë zgjidhje pakënaqësive të tyre.
Edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, e cilësoi shqetësuese situatën e krijuar nga protestat e dhunshme, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe të protestave paqësore.

Llatja nënvizoi se në demokraci nuk ka vetëm të drejta, por edhe detyrime.
Takimi i katërt i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri u zhvillua për herë të parë në Elbasan, me fokus rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit europian.

Elbasani është qyteti i parë në Shqipëri që këtë vit iu bashkua zyrtarisht konsorciumit që zbaton Misionin e Bashkimit Europian “100 + 12 Qytetet Klimatikisht Neutrale dhe Inteligjente deri në vitin 2030”.
Gjatë takimit u theksua se integrimi europian i Shqipërisë nuk varet vetëm nga institucionet qendrore, por edhe nga bashkitë, të cilat duhet të jenë të forta, transparente dhe të afta për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›