E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimi i studimeve, studentët zgjedhin vetë ku të diplomohen

Me Kartën e Bolonjës, studentët shqiptarë tanimë kanë mundësinë ti transferojnë studimet e tyre duke lëvizur nga një universitet drejt tjetrit, brenda dhe jashtë vendit. Në kërkim të një përvoje të re, të një diplome më me vlerë apo të programeve që i afrojnë më shumë me tregun e punës. Shumë prej të rinjve shqiptarë kanë nisur ta praktikojnë këtë eksperiencë akademike. Nëse deri disa vjet më parë studentët e dinin mirë se auditorët, godina, pedagogët dhe fakulteti që kishin zgjedhur do të ishte i njëjti në të katër vitet e studimit, tanimë, me futjen e filozofisë së Kartës së Bolonjës, të rinjtë kanë mundësinë të eksperimentojnë duke lëvizur qoftë për një semestër apo në mënyrë përfundimtare drejt një universiteti tjetër. Në vendet perëndimore kjo ndodh rëndom dhe vitet e fundit ka nisur të praktikohet edhe në Shqipëri. Studentë nga universitetet publike lëvizin drejt atyre private dhe anasjelltas, apo nga universitetet vendase drejt atyre të huaja. Procedura qëndron në njohjen e krediteve dhe përputhshmërinë e programeve, ndërsa hapi tjetër është ekuivalentimi i tyre. Ky proces, që të jetë i vlefshëm, sigurisht duhet të ndodhë sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Bëhet verifikimi përkatës dhe studenti mund të nisë aty ku i ka ndërprerë studimet. Igli Nako është një prej shumë studentëve që këtë vit ka zgjedhur Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin Europian të Tiranës. Pas një qëndrimi të gjatë në Itali dhe studimeve të nisura atje, e pati të vështirë të orientohej mbi ofertat e universiteteve private në Shqipëri, por edhe të bënte zgjedhjen e duhur mbi programin e studimeve që u afrohej atyre që kishte ndjekur në shtetin fqinj. Procesi pilot i rankimit të universiteteve publike e private në Shqipëri ishte ai që i shërbeu për të qartësuar mëdyshjet. Igli ishte një prej atyre të rinjve që mori të gjithë informacionin e duhur për studimet dhe vendosi ti transferojë në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare në UET. Mobiliteti i studimeve synon të lehtësojë sa më shumë të jetë e mundur, edhe përmes frymës së Kartës së Bolonjës, lëvizjen e studentëve nga një universitet në tjetrin, për arsye nga më të ndryshmet që i dalin studentit. Kjo procedurë transferimesh kryhet në fillim të çdo semestri. Zv.rektorja për partneritet dhe bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin Europian të Tiranës thotë se mobiliteti përmes frymës së Kartës së Bolonjës synon ta lehtësojë lëvizjen e studentëve nga një universitet në tjetrin. Procedura e transferimeve kryhet në fillim të çdo semestri. Universiteti Europian i Tiranës është i hapur në pranimin e studentëve që duan të transferojnë studimet deri më 29 shkurt, datë që përkon me nisjen e semestrit të ri, ku të rinjtë e transferuar kanë mundësi ti rinisin studimet njësoj me ata që janë aktualisht studentë të UET. Procesi i njohjes kryhet konform rregullave dhe procedurave të parashikuara në statutin e UET, si dhe akteve të lëshuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, që mund të jenë në fuqi apo do të hyjnë në fuqi në të ardhmen lidhur me këtë proces.

Njohja e diplomave

Për rastet e njohjes së diplomave me qëllim vazhdimin e studimeve në një nivel tjetër studimi ose më të lartë, si dhe për njohjen e lëndëve, UET e bën njohjen kur konstaton përputhshmëri të programit në jo më pak se 60 për qind të tij. Për të marrë një diplomë të UET, studenti i transferuar duhet të kryejë të paktën 50% të krediteve të programit përkatës të studimeve ku ai do të diplomohet në UET. Brenda kësaj përfshihet edhe praktika profesionale dhe mbrojtja e një teme diplome sipas kritereve të universitetit tonë, edhe sikur këto detyrime ti ketë shlyer gjetkë, përfundon ajo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›