E Hënë, 2 Nëntor 2026

Transformimi i Parkut Metalurgjik, Rama: Do kthehet në epiqendër të inovacionit dhe zhvillimit

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se transformimi i Parkut Metalurgjik i Elbasanit nga një zonë industriale në një hapësirë të gjelbër do e kthejë atë në epiqendër të inovacionit dhe zhvillimit.

Ideja themelore për kryeministrin është që ky park të jetë një destinacion për të gjitha grupmoshat.

“Transformimi i Parkut Metalurgjik nga një trashëgimi industriale në një hapësirë të gjelbër do e kthejë në epiqendër të inovacionit dhe zhvillimit, si një qendër e energjisë së pastër, prodhimit të avancuar dhe teknologjisë së qëndrueshme. Qëllimi është të hyjmë në një fazë të re në transformimin e territorit të Kombinatit Metalurgjik në një park kombëtar industrial, i cili ka një potencial të jashtëzakonshëm”, tha Rama.

Kryeministri tha se për këtë projekt janë angazhuar një sërë arkitektësh, vendas dhe të huaj.

“Ne kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm arkitektësh, arkitektë të huaj ndër më të mirët që gjenden sot dhe arkitektë vendas, po ashtu ndër më të mirët, për të përcaktuar drejtimin e masterplanit. Këtu territori është i madh dhe ka vend për të imagjinuar shumë gjëra dhe ideja themelore duhet të jetë që ky park duhet të jetë një destinacion për të gjithë dhe ky park, duhet të bëhet praktikisht së bashku me auto motoparkun, pika që do të bashkojë Tiranën dhe Elbasanin dhe që do ta bëjë Elbasanin pjesë të metropolit të Shqipërisë në dekadat e ardhshme.

Pra, jo vetëm Tiranë – Durrës, por edhe Tiranë – Dibër, edhe Tiranë – Elbasan, duke pasur parasysh transformimet e infrastrukturës dhe shkurtimin e distancave, janë faktikisht tre gjymtyrë të kryeqytetit, faktikisht. E që të vish të punosh këtu, është një distancë po aq ose dhe më e shkurtër se sa mund të jetë distanca dhe koha që të merr të shkosh të punosh nga një anë e Tiranës, në anën tjetër ndonjëherë. Kështu që, duhet parë dhe me këtë sy e duhet kuptuar që këtu ka potencial për të hapur kryeqytetin dhe për t’i dhënë një energji dhe një frymëmarrje të re.

E përsëris, me të dy këto pika që janë afër njëra-tjetrës, Parku i Kombinatit dhe Automotoparku i cili cirkuitin e Formula 1 do ta ketë si qershia mbi tortë, por nuk është një investim thjesht dhe vetëm për Formula 1 që është tre ditë në vit, por do të jetë një destinacion i përditshëm, jo vetëm për shumë lloje garash, por mbi të gjitha për sigurinë rrugore. Do të jetë një qendër europiane për rritjen e sigurisë rrugore sipas modeleve më të mira që ka sot Europa dhe falë edhe partneritetit të ndërtuar me Qendrën e Sigurisë Rrugore në Austri”, tha Rama.

Automotorparku është një tjetër investim nga qeveria, i cili do të shërbejë edhe për sigurinë rrugore.

Në mbyllje të takimit, kreu i qeverisë theksoi se ambicia është që masterplani të jetë gati deri në vjeshtë, kur në buxhetin e ardhshëm të mund të projektohet fillimi i financimeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›