Transformohet shkolla “Gjergj Fishta” në Lezhë, 530 nxënës dhe mësues nisin vitin e ri në ambiente të reja

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Shkolla “Gjergj Fishta” në Lezhë është transformuar në një hapësirë bashkëkohore, e cila do të mirëpresë rreth 530 nxënës dhe mësues në vitin e ri shkollor.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se investimi është realizuar nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, me synim përmirësimin e kushteve për mësimdhënie dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive, kulturore dhe teknologjike.
Sipas Ramës, ambientet e rikonstruktuara do t’u krijojnë nxënësve mundësi më të mira për të zhvilluar talentet dhe për të zhvilluar aktivitete edhe përtej orarit mësimor.
Investimi në shkollën “Gjergj Fishta” është pjesë e programit kombëtar për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, të financuar nga Qeveria Shqiptare.
Në kuadër të këtij programi, në vitin e ri shkollor në të gjithë vendin do të hapin dyert 42 objekte arsimore dhe terrene sportive të reja ose të rikonstruktuara, duke synuar krijimin e mjediseve më moderne dhe funksionale për nxënësit.
Kryeministri Rama e ka cilësuar investimin një tjetër hap në përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe krijimin e kushteve më të mira për brezat e rinj.
1 nga 5/e.xh/r.e/