E Diel, 1 Nëntor 2026

Transparencë për kursin e këmbimit dhe tarifat, BSH vendos rregulla të reja për pagesat me kartë

Rritja e transparencës dhe mundësia që konsumatori të dijë paraprakisht koston reale të një pagese në valutë janë në fokus të ndryshimeve të reja në rregulloren për tarifat e llogarive të pagesave.

Synimi është që përdoruesit të mos përballen me kosto të paqarta ose të papritura gjatë pagesave me kartë apo transfertave online.

Ndryshimet e reja te miratuar se fundmi ne mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës te Bankës së Shqipërisë parashikojnë kërkesa të reja për informimin e paguesit mbi tarifat e këmbimit valutor kundrejt Lekut në transaksionet me kartë, në ATM dhe POS.

Ofruesit e shërbimeve të pagesave do të duhet të informojnë paraprakisht klientin për tarifën, duke e paraqitur atë vecmas mbi kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë.

Informacioni për këto tarifa duhet gjithashtu të publikohet dhe t’i komunikohet paguesit në mënyrë elektronike.

Rregullorja përcakton detyrime të ngjashme edhe për transfertat online. Para inicimit të transfertës, klienti duhet të informohet për kursin dhe tarifat e këmbimit, si dhe për shumën totale që do të paguajë, duke përfshirë të gjitha tarifat përkatëse.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›