E Diel, 1 Nëntor 2026

Transporti urban në Tiranë në krizë, reduktohet flota e autobusëve, qytetarët përballen me kaos në stacione

Stacionet e autobusëve në Tiranë janë mbipopulluar nga qytetarë që presin për të udhëtuar, ndërsa mjetet e transportit urban po qarkullojnë të tejmbushura, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen në kryeqytet.

Situata vjen pas vendimit të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe asaj të Transportit Urban dhe Interurban për të reduktuar me 40% flotën e autobusëve të shërbimit publik, masë që ka hyrë në fuqi që prej ditës së sotme.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, kjo lëvizje është diktuar nga rritja e çmimit të karburantit dhe mungesa e mbështetjes financiare nga ana e qeverisë, përmes subvencioneve.

Nga pamjet në terren, vihet re një fluks i lartë qytetarësh nëpër stacione, me radhë të gjata pritjeje dhe autobusë të mbingarkuar, çka po shkakton vonesa dhe vështirësi në arritjen e destinacioneve.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për gjendjen dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, ndërsa operatorët paralajmërojnë se, në mungesë të masave konkrete, situata rrezikon të përkeqësohet në ditët në vijim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›