E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tranzicioni ka dështuar

Shinasi Rama / Foto nga Franc Zhurda - Shekulli

Elsa Demo

Me Përrallat e tranzicionit shqiptar Shinasi Rama i drejtohet një lexuesi që ka vepruar dhe ka pësuar në 22 vjet tranzicion, një gjithëlexuesi. Studimi është një vështrim frontal, që nis nga aspektet teorike, dhe me një gjuhë jo më pak të mprehtë se çështja në shqyrtim, trajton faktorët, përgjegjësit e dështimit të tranzicionit në Shqipëri. Në këtë përfundim del Shinasi Rama, Profesor Klinik në Departamentin e Politikës në Universitetin e Nju Jorkut, ShBA. Me futjen në përdorimin të termit pari prof. Rama hap një këndvështrim origjinal që shtyn portë pas porte, në politikë, ekonomi, kulturë, e duke identifikuar me të përgjegjësit e dështimit, po edhe vagullitë, dyshimet, pasiguritë që ka ngulitur ndër shqiptarë kjo periudhë rropatëse e historisë së re të Shqipërisë me kriza të njëpasnjëshme. Edhe ato arritje pozitive kanë pasur një çmim shumë të shtrenjtë. Në këto vite nuk është krijuar as një klasë politike dhe as një elitë intelektuale, sepse ashtu si madërgonat e Machiavellit ato janë gjeneruar nga paritë e kaluara. Tranzicioni nuk është fundi i historisë por kjo nuk është ngushëllim. Prof. Shinasi Rama në mënyrë sintetike jep në këtë intervistë për Shekullin argumentet që parashtron te Përrallat… (Princi, 2012, 500 f.).

Prof. Rama, me çpërshtypje ndaheni nga audienca e këtij libri në Tiranë?

Në shoqërinë shqiptare ka një nevojë të jashtëzakonshme për të kuptuar gjendjen në të cilën gjendemi: a është kjo gjendje normale, anormale, apo e përkohshme. Argumenti që libri shtron është që gjendja është tërësisht anormale, por audienca u tregua e hapur. Një nga gjërat më të bukura që përjetova ishte që, aktorët e këtij tranzicioni, pjesëtarët e parisë, ashtu siç e përkufizoj unë parinë, u pajtuan me konkluzionet dhe rrugëzgjidhjet që parashtrohen këtu.

Mund të jepni përkufizimin tuaj për tranzicionin në kushtet e Shqipërisë?

Është periudha kalimtare gjatë së cilës presupozohet se do të vihen themelet e ndërtimit të shoqërisë të së ardhmes e cila do të ofrojë më të mirën gjë të mundshme për shqiptarët, në termat e lumturisë personale, të mirëqenies, begatisë…

Edhe të nderit…

Natyrisht, një qenie njerëzore ka nevojë për nder dhe dinjitet dhe periudha e tranzicionit do duhej ti garantonte. Kjo nuk do të thotë se me tranzicionin mbyllet historia. Jeta vazhdon, strukturat ndërrojnë sepse janë bazuar në marrëdhënie shoqërore të cilat janë bazuar në interesa të tjera që gjithnjë evoluojnë. Por themelet duhet të ishin të shëndosha. Për ta ilustruar në mënyrë figurative duhet thënë kështu: nëse themelet e një shtëpie do viheshin me baltë, nuk do mundeshe të ngrije më shumë se një kat; nëse themelet do viheshin me gurë, atëhere shtëpia do të ishte e qëndrueshme dhe e banueshme për njerëzit. Edhe tranzicioni duhej të na lejonte ne që të hidhnim themelet e një shoqërie të menduar mirë e të shtrirë në të ardhmen.

Nisur nga ilustrimi i shtëpisë në ndërtim, sa është përgjegjësia e arkitektit dhe sa e banorëve që jetojnë aty brenda? Sepse në këtë libër ju të gjitha përgjegjësitë ia vishni klasës politike dhe e zhvishni pothuajse nga përgjegjësia vullnetin e popullit.

Në vitin 1990 të vetmit njerëz që dinin se çfarë mund të bëhej me shtetin shqiptar, që kishin përgatitjen ideologjike, profesionale, teknike etj., për ta materializuar një vizion të së ardhmes të shoqërisë shqiptare, ishin këto dy-tremijë vetë që ishin pjesëtarë të parisë së Tiranës: një pjesë e tyre në Bllok, një pjesë jashtë Bllokut, intelektualë, profesorati universitar, zyrtarët e shtetit, inxhinierë, mjekë etj., që kishin kaluar në përvojat perëndimore. Populli shqiptar në këtë fazë të tranzicionit ishte tërësisht i papërgatitur për të ardhmen. Ai nuk e pranonte sistemin në të cilin jetonte por nuk e kishte idenë se në çfarë sistemi do të jetohej nesër. Prandaj përgjegjësia për rrugën që u mor i përket vetëm parisë. Mobilizimi i njerëzve, prioritetet politike, objektivat ekonomike që u vendosën dhe vlerat kulturore e morale që u promovuan, ishin në interes të projektit të saj, që nuk ishte projekt zhvillimor, ishte shfrytëzues. Paria e përdori këtë padije të thellë të shoqërisë. Paria tha, kur erdhi puna te shteti, ta shembim shtetin dhe shteti u shemb; kur erdhi puna te morali tha ekonomia e tregut do të përcaktojë vlerat shoqërore, kur erdhi puna te identiteti tha liberalizmi – gjithkush për vete. Edhe befas nga këto u materializua një projekt i cili u sprovua dhe që 22 vjet më vonë e shohim që është kaq vrastar për shoqërinë.

Ka momente kur vullneti i popullit ka qenë shumë afër për tiu imponuar parisë.

Po, por ajo që duhet të kuptojmë është që populli gabon sepse nuk di. Kur ai e sheh të vërtetën, atëherë mbështet njerëzit që ofrojnë zgjidhjet e drejta. Në 1990 ndodhi fenomeni më paradoksal në Lindje. Shqiptarët kishin vuajtur aq shumë saqë ata ndoqën një rrugë që në shkencat sociologjike njihet si soteriologjia e të shtypurve: ata u identifikuan me vlerat e një sistemi që ishte kundërshtar i një sistemi që i kishte shtypur. Kështu që edhe pse kapitalizmi në formën e vet të egër, është një sistem polarizues, që nuk ofron shumë mundësi përjashta shtresës që kontrollon mjetet e prodhimit, qytetarët shqiptarë kërkuan vendosjen e kapitalizmit. A e bën kjo popullin me faj? Jo, sepse injoranca nuk është argument. Zgjidhja vjen gjithmonë prej atyre që dinë, dhe të vetmit njerëz që duhet të dilnin përballë transformimeve ishin pjesëtarët e parisë.

Deri në çmasë e kaluara ka përcaktuar mentalitetin e palës që udhëheq dhe të asaj që udhëhiqet? Aktualisht ka një furi të klasës politike, veçanërisht të forcës drejtuese, që përdor si argument nga e kaluara tezën për dënimin e krimeve të komunizmit.

E kaluara ka përcaktuar formimin dhe strukturën e parisë politike, jo të klasës politike.  Kjo nuk është klasë politike, është një pari. Këta janë një tufë jeniçerësh, martallozësh, bashibozukësh edhe bajraktarësh që e sundojnë këtë popull duke e mbajtur të varur për bukën e gojës. Kjo i bën pari që e po marrin popullin nga një gjendje traumatike dhe e po çojnë në skllavëri. Nuk janë as klasë politike sepse nuk kanë kurrfarë etike publike, moral publik dhe besnikëri ndaj institucioneve.

E kaluara e ka përcaktuar mentalitetin e parisë sepse paria ka qenë e lidhur dhe e konsoliduar nëpërmjet origjinave, lidhjeve familjare, farefisnore, rajonale, të strukturave të edukimit, përvojave të punës, martesave e tjera. Një element që duhet theksuar është lufta e klaneve brenda parisë gjatë kohës së Enver Hoxhës. Klani Kapo, Hoxha, Shehu etj., çoi në ndërtimin e besnikërive brenda klaneve që ishin të mbështetura në struktura tradicionale, katundare. Gjithsekush mbështeste njerëzit e vet. Ishte mbi të gjitha një lidhje besnikërie që buronte nga morali i katundit: po të jemi ne bashkë kundër të tjerëve, ne do të fitojmë kontrollin mbi shtetin.

Si transformohet ky mentalitetit me ardhjen e vitit 1990?

Fenomeni që kemi ndeshur pas 1990-ës është zgjerimi i parisë me intelektualë të shquar dhe me zyrtarë që vinin nga koha e sistemit enverist. Kjo pari politike u bë më vonë dhe pari ekonomike e kulturore, sepse shumë nga pinjollët e këtyre familjeve e përdorën dijen që kishin fituar brenda e jashtë vendit, për tu afirmuar si figura qendrore të tranzicionit. Po ashtu edhe profesion

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›