”Travel Fest Albania”, në Gjirokastër shfaqen 14 filma dokumentarë nga e gjithë Evropa

Gjirokastra ka mirëpritur edicionin e dytë të festivalit “Travel Fest Albania”. Festivali i filmave dokumentarë që kanë në qendër turizmin, natyrën, trashëgiminë kulturore, destinacionet dhe ekspeditat sjell 112 filma të titruar në shqip dhe anglisht.
Në ekranin e madh të vendosur në Odeonin e gurtë mbrëmjen e djeshme nisi shfaqja e 14 filmave dokumentarë e cila do të vijojë edhe sonte. Drejtori dhe themeluesi i këtij festivali Pandeli Ceco thotë se janë kryesisht prodhime që kanë në qendër të tyre, turizmin, natyrën, trashëgiminë kulturore, destinacionet ekspeditat dhe vijnë nga autorë të njohur nga vende të ndryshme të botës.
Festivali “Travel Fest Albania” duke qënë se prezantohet në Gjirokastër për herë të parë ka zgjedhur një larmishmëri filmash pikërisht me tematikë nga historia dhe trashëgimia botërore. Travel Fest Albania është festivali i filmave dokumentarë që kanë në qendër turizmin, natyrën, trashëgiminë kulturore, destinacionet ekspeditat, pra përfshin filmin, kulturën e turizmin.
“Në Gjirokastër kemi zgjedhur 14 filma. Kemi të pranishëm këtu 8 autorë që do prezantojnë filmat e tyre, pra është një pjesëmarrje më shumë se 50 përqind. Janë autorë nga Spanja, Franca, Danimarka, Gjermania, Turqia, Bjellorusia, Britania e Madhe. Filmat janë nga destinacione të ndryshme të botës, por këtë vit kemi pesë të tillë nga autorë të huaj, por pikërisht për Shqipërinë. Shpresojmë që edhe këtë edicion autorët të gjejnë një shkëndijë frymëzimi për të na ardhur në edicionin e ardhshëm më një film nga Gjirokastra ose pika të tjera turistike të Shqipërisë.”, tha drejtori i festivalit Pandeli Ceco.
Për autorët pjesëmarrja në këtë event është kënaqësi, jo vetëm se prezantojnë kulturën e trashëgiminë e vendeve prej nga vijnë, por u jep mundësi të njihen më Shqipërinë e traditat e saj.
“Është një dokumentar për Spanjën. Është një mënyrë për të paraqitur kulturën tonë. Është një festival që e kam përzgjedhur se e shoh që dhe pse është i ri ka shumë potencial dhe po rritet shumë. Jam shumë e lumtur që po përjetoj kultura të ndryshme, të shoh vende të reja, të provoj ushqimin tradicional shqiptar, dhe uroj që ky festival të ecë përpara.” tha Irina Melnik.
Gazetar Norel Zaimi
/RTSH/