E Diel, 1 Nëntor 2026

Trazira në Ceuta, përleshje mes banorëve dhe emigrantëve marokenë

Situata në enklavën spanjolle të Ceutës ka dalë jashtë kontrollit pas përleshjeve të ashpra mes banorëve vendas dhe emigrantëve.

Protestuesit u kanë vënë flakën disa strukturave të improvizuara ku qëndronin emigrantë, ndërsa kanë bllokuar edhe kalimin e kamionëve të Kryqit të Kuq që transportonin ushqime dhe ndihma për personat e strehuar në zonë.

Policia spanjolle ndërhyri për të ndarë grupet dhe për të shpërndarë protestuesit. Përplasjet u shoqëruan me tensione të forta, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe ndalimin e dhunës.

Protestat shpërthyen pas pakënaqësisë së banorëve për praninë e mijëra emigrantëve, të cilët prej javësh po qëndrojnë në rrugë dhe plazhe për shkak të mungesës së hapësirave të strehimit.

Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej pasi, sipas autoriteteve, disa emigrantë hodhën gurë drejt një automjeti ushtarak, duke plagosur katër ushtarë spanjollë.

Ministri i Brendshëm i Spanjës bëri thirrje për qetësi dhe kërkoi ndalimin e çdo forme dhune, ndërsa akuzoi retorikën politike për nxitjen e urrejtjes ndaj emigrantëve.

Ceuta po përballet prej javësh me presion të lartë emigrator. Në muajin korrik, më shumë se 72 mijë emigrantë kaluan nga Maroku drejt territorit spanjoll, ndërsa shumica e tyre janë kthyer.

Qendra e pritjes është e mbingarkuar, duke detyruar shumë emigrantë të qëndrojnë përkohësisht në hapësira publike dhe përgjatë plazheve.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet përballen njëkohësisht me krizën humanitare, presionin emigrator dhe shqetësimet në rritje për sigurinë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›