Trazirat në Suedi, edhe gjatë natës në Stokholm u shënuan incidente
Megjithëse forcat speciale janë shtuar në kryeqytetin suedez, Stokholm trazirat kanë vazhduar për të gjashtën natë rradhazi.
Në katër lagje të Stokholmit kryesisht të banuar nga emigrantët, disa makinave u është vënë flaka. Megjithëse policia tha se trazirat gjatë natës së të shtunës nuk ishin aq serioze sa netët e kaluara.
Përleshjet janë përhapur dhe jashtë kryeqytetit për herë të parë të premten, ku disa të rinj kanë vënë flakën disa automjeteve dhe ndërtesave në dy qytete.
SHBA dhe Britania e Madhe ndërkohë kanë paralajmëruar qytetarët e tyre në Suedi të shmangin zonat e prekura. Zyra e Jashtme në Mbretërinë e Bashkuar këshilloi njerëzit të qëndrojnë larg tubimeve të mëdha në periferi të Stokholmit, Hagsatra, Ragsved, Skogas.
Trazirat filluan të dielën në Husby, një zonë e privuar kryesisht emigrantesh në veri-perëndim të kryeqytetit. Protestat nisën nga vdekja e një njeriu të moshuar gati një javë më parë, i cili u qëllua nga policia, pasi i rezistoi arrestimit dhe kërcënoi policët me një hanxhar.
Grupe të emigrantëve e konsideruan këtë ngjaje si të motivuar nga racizmi, ndërsa shoqata të të drejtave civile manifestuan kundër brutalitetit policor dhe atë që e konsideruan si një tejkalim të pajustifikuar të kufijve të vetmbrojtjes policore.
Të premten, forcat e policisë së Stokholmit u përforcuan nga oficerë të trajnuar posaçërisht nga qytetet e Goteborgut dhe Malmö-s, dy prej të cilave kanë përjetuar trazira të shpeshta vitet e fundit.