Trazirat në veri, Senatorë amerikanë i kërkojnë Kurtit dhe Vuçiç të punojnë për uljen e tensioneve

Një grup senatorësh amerikanë të udhëhequr nga senatorja Jeanne Shaheen, u shprehën në një deklaratë të përbashkët, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duhet të punojnë për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
“Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, jemi gjithnjë e më të shqetësuar më situatën e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne ritheksojmë se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin amerikan për përpjekjet e Bashkimit Evropian në bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara. Por, që një zgjidhje të jetë e qëndrueshme, si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiç duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të shtensionuar situatën, për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit duke themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Senatorët gjithashtu iu bënë thirrje udhëheqësve të dy vendeve që ndërsa shqyrtojnë hapat e tyre të ardhshëm, të zgjedhin paqen, përparimin dhe sigurinë e qytetarëve të tyre.
“Dështimi për të ulur tensionet do të shkaktonte veprime me pasoja nga perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në rrugë përpara, dhe pa rrezikon pa nevojë të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe.”, thuhet në deklaratën e përbashkët të senatores Shaheen me kolegët e saj Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricket.
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha se nga 9 deri më 12 qershor do të zhvillojë bisedime me serbët në Kosovë, teksa protestuesit serbë në Leposaviq, Zubin Potok dhe në Zveçan vazhdojnë të protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Ndërkohë serbët lokalë janë mbledhur sërish këtë të enjte para objekteve administrative lokale në Leposavic, Zubin Potok dhe Zvecan.
Ndryshe nga herë e tjera, në Zvecan dhe Leposavic, autoblindat e policisë së Kosovës janë lëvizur dhe janë vendosur pas ndërtesave të komunave.
Ushtarët e KFOR-it vijojnë të qëndrojnë para objekteve komunale.
Në komunat në veri të Kosovës, situata u tensionua në datën 26 maj kur kryetarët e rinj që ishin betuar hynë në zyrat e tyre të ndihmuar nga policia.
Tensionet arritën kulmin në datën 29 maj, ku protestuesit serbë plagosën gjashtë policsë të kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR ndërkohë që u sulmuan edhe gazetarët.
Presidenti serb Aleksander Vuçiç bëri të ditur një ditë më parë se nga data 9 deri në 12 qershor do të zhvillonte bisedime me serbët e Kosovës.
Gazetare: Elda Pepa
/RTSH/