E Martë, 3 Nëntor 2026

Tre akuza për shpërthimin tragjik, Prokuroria do të përcaktojë se kush do të hetohet për ngjarjen e Lushnjës

Policia e Lushnjës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Prokurorinë e Fierit dosjen për tragjedinë e shpërthimit të bombolës së oksigjenit, ku për pasojë humbën jetën babë e bir, Roland dhe Elidion Hoxha, ndërsa 7 të tjerë mbeten të plagosur.

Në dosje janë ngritur tri akuza zyrtare: ndërtim i paligjshëm pasi objekti ka devijuar nga leja e miratuar nga bashkia, shkatërrim i pronës nga pakujdesia dhe shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë.

Për dinamikën e ngjarjes janë marrë në pyetje të plagosurit të cilët tashmë janë larguar nga spitali, ndërsa pritet që të merret në pyetje deputeti Bujar Çela, pronar i biznesit me materiale ndërtimi ku ndodhi shpërthimi. Ky i fundit do të japë shpjegime pasi të përmirësohet situata e tij shëndetësore.

Priten gjithashtu të merren në pyetje i plagosuri tjetër Saimir Korreshi, pronari tjetër i biznesit ngjitur si dhe Sokol Lumi, i cili ishte klient i rastësishëm, por që ndodhet në gjendje kome pasi një shufër metalike e goditi në kokë.

Referimi në prokurori është bërë pa emra konkret dhe do të jetë organi i akuzës ai që do përcaktojë se cilët persona do të hetohen në lidhje me ngjarjen e rëndë. Nëse deputeti Bujar Çela do të hetohet për ngjarjen, atëherë dosja do ti kalojë për kompetencë SPAK-ut.

Hetimet e deritanishme tregojnë se tragjedia ka ndodhur për shkak të shpërthimit të bombolës së oksigjenit, shpërthim i cili shkaktoi edhe këputjen e kabujve të tensionit të lartë.

Këtë të hënë Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Lushnjës miratoi shumën prej 500 mijë lekësh ndihmë për familjen Hoxha, ndërkohë vijojnë verifikimet për të përcaktuar dëmin e banesave dhe bizneseve të tjera që u prekën nga shpërthimi i fuqishëm./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›