Trefishohet sipërfaqja me serra, Denaj: Bujqësia motor ekonomik për familjen dhe komunitetin

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Në Cërrik, Agim dhe Xhemal Sadja, babë e bir, kanë lënë emigrimin pas për t’u rikthyer në vendlindje, aty ku rrënjët dhe pasioni për tokën i kanë udhëhequr drejt një investimi të qëndrueshëm në bujqësi.
Me një sipërfaqe prej 1,2 hektarë, ata kultivojnë me përkushtim produkte cilësore, të cilat përmes pikave të grumbullimit të zonës arrijnë tregjet ndërkombëtare, duke ruajtur të paprekur zinxhirin e vlerës.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh se, bujqësia jo vetëm që u ka rikthyer identitetin e tyre në vendin e origjinës, por është edhe një motor ekonomik për familjen dhe komunitetin.
“Në vitin 2024, sipërfaqja e serrave arriti në 2200 hektarë, ose trefishi krahasuar me vitin 2013”, tha Denaj.
Ndërsa Agimi tregon se, në vitin 2013 është kthyer familjarisht nga emigrimi në vendlindje, ku ka ngritur biznesin e tij për prodhimin e produkteve bujqësore.
“Unë kam ndërtuar serra dhe kultivoj perime të ndryshme. Aktualisht i gjithë prodhimi me kungull që kam mbjellë shkon për eksport. Prodhimi është i certifikuar sipas standardeve dhe konform analizave që kërkohen”, thotë Agimi.
/r.e/ /a.f/